Lajme

Izrael-Turqi, liderët bien dakord për përmirësimin e marrëdhënieve diplomatike


Presidenti i Izraelit dhe homologu i tij nga Turqia kanë arritur akordin për të përmirësuar marrëdhëniet midis dy shteteve.

Këtë e bëri me dije zëdhënësi i qeverisë së presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, të enjten e 16 korrikut.

Erdogan zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin e ri të Izraelit, Isaac Herzog, të hënën e 12 korrikut.

Biseda midis Herzog dhe Erdogan-it zgjati për 40 minuta dhe ishte “shumë pozitive”, sipas zyrës së Herzog-ut.

Mediat cituan një zëdhënës të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim të thoshte se “një kornizë u shfaq pas kësaj thirrjeje nën të cilën duhen bërë përparime në disa çështje ku duhet të ndërmerren hapa drejt zgjidhjes së zonave problematike”.

Turizmi dhe tregtia janë fusha në të cilat të dy palët do të përfitojnë nga bashkëpunimi, u citua të thoshte.

Për atë nëse të dy vendet do të emërojnë ambasadorë, u tha se ishte akoma herët. Sipas zëdhënësve ata, “natyrisht, po vlerësohen, në fund të fundit. Të gjitha këto janë çështje që varen nga hapat që duhen ndërmarrë”.

Ndërkohë, disa media arabe raportuan se Izraeli ka refuzuar një ofertë të Turqisë për të ndërmjetësuar një marrëveshje shkëmbimi të burgosurish me Hamasi-n.

Sipas burimeve, Izraeli do të dëshironte që Egjipti të mbante rolin e tij si ndërmjetës dhe kundërshtonte përfshirjen e Turqisë në Rripin e Gazës.

Marrëdhëniet diplomatike Turqi-Izrael

Lidhjet midis Turqisë dhe Izraelit kanë qenë shpesh të vështira dhe të dy vendet dëbuan përfaqësuesin diplomatik në vitin 2018.

Turqia, në atë kohë, urdhëroi ambasadorin e Izraelit të kthehej në Izrael. Nga ana tjetër, Izraeli i tha konsullit turk në Jerusalem, i cili ishte përgjegjës për lidhjet e Turqisë me palestinezët, të kthehej në Turqi.

Një burim diplomatik i tha “Haaretz-it” se, megjithëse Erdogan ka sinjalizuar një dëshirë për të përmirësuar lidhjet me Izraelin disa herë në vitet e fundit, deklaratat e tij të prera mbi çështjen palestineze – disa nga ato të javës së kaluar – e bëjnë të vështirë për diplomatët të dallojnë qëllimet e tij.

Në vitin 2011, në përgjigje të një raporti të OKB-së që thoshte se Izraeli nuk shkelte ligjin ndërkombëtar kur mori me forcë kontrollin e një flote anijesh turke të lidhur me Gazën, Erdogan shkëputi lidhjet e Turqisë me Izraelin.

Turqia tërhoqi ambasadorin e saj në Tel Aviv dhe dëboi ambasadorin izraelit në Ankara.

Në vitin 2016, të dy vendet nënshkruan një marrëveshje pajtimi, e cila përfshinte pagesën nga Izraeli të 20 milionë dollarëve për një fondacion humanitar të përdorur për dëmshpërblime për familjet e shtetasve turq që vdiqën në bordin e flotës së anijeve.

Marrëveshja çoi në emërimin e një ambasadori izraelit në Ankara, i cili shërbeu për dy vjet para se të dëbohej sërish.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore