Shqipëria

Itinerari i paligjshëm në Ballkanin Perëndimor, refugjatët minorenë më të rrezikuarit


“Kam parë me sytë e mi se si policia i ka keqtrajtuar shokët. Madje disa i plagosën në këmbë, të tjerë i goditën në kokë, në sy”.

“Një kontrabandist nxori një thikë, vajza bërtiti dhe u përpoq të shpëtonte, por ai e përdhunoi dhe ne e pamë me sytë tanë gjithçka”.

“Kur shohin një djalë të bukur, e keqpërdorin, dhe policia nuk bën asgjë. Nuk ka rëndësi, nëse ai është në rrugë me familjen apo vetëm. Mjafton të jetë i bukur”.

Këto janë dëshmitë e tre djemve, Ehsan, Hanan , 17  vjeç dhe Hasnen 15 vjeç.

E përbashkëta e tyre: rrugëtimi drejt Evropës.

Dëshmitë e tyre – të para nga mediumi “Deutsche Welle” – janë pjesë e një raporti me rrëfimet e minorenëve refugjatë.

Shumica janë nga shtete si Afganistani, Pakistani, Iraku, Irani dhe Siria.

Përmes së ashtuquajturës itinerari i Ballkanit Perëndimor, por jo vetëm – nga Turqia, Greqia, Maqedonia e Veriut, Serbia, Shqipëria, Mali i Zi e Bosnje dhe Hercegovina  – ata duan të mbërrijnë në perëndim.

Të dhënat janë mbledhur në kuadër të studimit “Wherever we go, someone harms us” të publikuar së fundmi nga organizata për mbrojtjen e fëmijëve, “Save the Children”.

Autorët e krimeve janë kontrabandistë dhe policë

Vështirësia më e madhe që emigrantët kanë në rrugën drejt perëndimit paraqitet në kufirin mes Bosnje-Hercegovinës dhe anëtares më të re të BE, Kroacisë.

Qeveria kroate ka ndjekur një politikë mjaft të ashpër dhe të dhunshme kundër emigrantëve.

Sipas studimit minorenët e pashoqëruar janë të detyruar të flenë në ndërtesa të rrënuara, me të panjohur, në frikë të vazhdueshme nga rrahjet apo dhuna seksuale.

Djemtë janë veçanërisht të rrezikuar.

Pa ndihmë dhe pa mundësi, shumë fëmijë e djem të rinj e kompensojnë frikën dhe stresin me alkool dhe drogë.

Edhe numri i vetëlëndimeve dhe përpjekjeve për vetëvrasje është “mjaft shqetësues”.

Rrugëtimi nëpërmjet Ballkanit Perëndimor vijon të jetë rruga më aktive e emigracioni ilegal për në Bashkimin Evropian.

Muaji gusht – sipas Agjencisë për Mbrojtjen Kufitare e Bregdetare Evropiane (FRONTEX) – ka sjellë rreth 15 mijë e 900 kalime të zbuluara.

Kjo shifër është 141 % më shumë se ajo e vitit të kaluar.

Në përgjithësi, në tetë muajt e parë të këtij viti, sipas përllogaritjeve paraprake, në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian janë zbuluar afro 188 mijë e 200 hyrje të parregullta.

Kjo paraqet një rritje prej 75 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe është totali më i lartë për periudhën janar-gusht që nga viti 2016.

FRONTEX thekson se numri i lartë i kalimeve të paligjshme kufitare mund t’i atribuohet përpjekjeve të përsëritura të kalimit nga emigrantët tashmë të pranishëm në Ballkanin Perëndimor.

Presioni mbetet gjithashtu i lartë në itinerarin e Mesdheut Qendror, me ardhjet e përditshme që rëndojnë kapacitetet e pritjes në Itali.

Agjencia informon se duke iu përgjigjur presionit të lartë migrator ka më shumë se 2 mijë e 300 oficerë dhe staf të trupave në seksione të ndryshme të kufirit të jashtëm të BE-së, si dhe në Shqipëri, Serbi, Mal të Zi dhe Moldavi.

Edhe në raportin e muajit korrik Ballkani Perëndimor vijonte të ishte rruga më aktive e emigracionit ilegal në Bashkimin Evropian.

Ai është kthyer në në rrugën më të përdorur për kalimin ilegal të emigrantëve drejt vendeve të BE-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore