Lajme

Italia jep për administrim të përkohshëm uzinën ruse “Lukoil” në Siçili


Qeveria italiane ka miratuar futjen e menaxhimit të përkohshëm në rafinerinë ruse të naftës “Lukoil” në Siçili.

Ky vendim është marrë për të shmangur mbylljen e saj për shkak të embargos ndaj naftës ruse të detit.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Reuters”.

Embargoja e Bashkimit Evropian ndaj naftës ruse detare do të hyjë në fuqi më 5 dhjetor.

Ajo kërcënon të bllokojë furnizimet për rafinerinë ruse “Lukoil ISAB”, e cila përbën një të pestën e kapacitetit të përpunimit të naftës në Itali.

Rafineria mbështetet ekskluzivisht në naftën ruse pasi bankat ndaluan financimin e saj dhe sigurimin e garancive të nevojshme për blerjen e naftës në vende të tjera.

Kjo, nga frika se mos bien nën sanksionet perëndimore për lidhjen e saj me një kompani ruse.

Sipas vendimit të qeverisë italiane, administrimi i përkohshëm në termocentral tashmë mund të vendoset për një periudhë deri në një vit, me mundësi zgjatjeje edhe për një vit tjetër “në rast rreziku serioz dhe të afërt” për furnizimin me energji.

Sipas burimit të “Reuters”, kompania shtetërore e energjisë ENI mund të përfshihet potencialisht në menaxhimin e rafinerisë ruse.

Aktualisht, rafineria ruse punëson rreth 1 mijë punëtorë. Një tjetër burim i “Reuters” tha se qeveria italiane po punonte për të zhbllokuar fondet për ISAB-in.

Më herët, Financial Times raportoi se negociatat e Lukoil-it për shitjen e ISAB rifilluan me platformën amerikane të investimeve “Crossbridge Energy Partners”, e cila do të vlerësonte centralin në 1-1.5 miliardë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore