Shqipëria

‘Ishin si familja jonë’: Shpëtimtarët shqiptarë ‘në ankth’ pas tërmeteve në Turqi


Një ekip shqiptar i kërkim-shpëtimit shprehu se sa e dhimbshme ishte emocionalisht teksa morën pjesë në operacionet e ndihmës në Turqi, e cila u godit nga tërmetet e dyfishta më 6 shkurt.

Ekipi vullnetar prej 10 anëtarësh mbërriti në Turqi për të marrë pjesë në përpjekjet e kërkim-shpëtimit në qytetin e Malatya-s deri më 15 shkurt.

Kështu e nis rrëfimin e tij transmetuesi vendas “TRT World”.

Nebi Muçaj, drejtuesi i ekipit, tha se ata ishin shumë të emocionuar, veçanërisht kur gjetën një babë e bir të vdekur duke u përqafuar nën rrënoja.

“Ngjarja më prekëse – jo vetëm për mua, por për të gjithë anëtarët e ekipit – ishte përqafimi i përjetshëm i babait dhe djalit nën rrënoja. Ishte shumë e dhimbshme për të gjithë”, kujton Muçaj. “Ne ishim dëshmitarë të këtij përqafimi të pafund”.

Ai shtoi se ndiheshin aq të lidhur dhe ndanin dhimbjen saqë viktimat ishin si familjarët e tyre.

“Sinqerisht, është sikur ai të ishte pjesë e familjes sonë. Ishte vërtet e dhimbshme”, shtoi drejtuesi i ekipit shqiptar për transmetuesin turk.

Në një rast tjetër, ekipi u emocionua kur gjetën një foto të një çifti të sapomartuar, vijoi ai.

”Duke parë atë lumturi, atë buzëqeshje të përzier në rrënoja, gurët në atë foto, jeta është e çmuar. Më bën të mendoj. Ajo foto është skalitur në kujtesën time, më duket sikur është në zemrën time”, përshkroi Muçaj.

Një tjetër vullnetar, Skelzen Satri, kujton po ashtu se ata u prekën thellësisht kur panë një baba të mbështjellë djalin e tij me duar për ta mbrojtur ndërsa ai po tërhiqej nga rrënojat.

Çdo ditë ndërsa ishte në zonën e tërmetit, ekipi filloi rutinën e tij duke thënë një lutje, duke iu lutur Zotit që ata të ishin në gjendje të shpëtonin jetë, tha Satri.

Bujar Rapo, një tjetër shpëtimtar, tha se ai “nuk do ta harrojë kurrë” se si një i mbijetuar nga tërmeti thirri në telefon të dëshpëruar vëllain e tij, i cili ishte nën rrënoja.

“Fatkeqësisht, trupi i tij i pajetë u gjet më vonë”, tha Rapo.

Gjithsej 73 personel mjekësor dhe specialistë të kërkim-shpëtimit të lidhur me Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë dhe Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile morën pjesë në operacionet e ndihmës në Turqinë juglindore.

Në kulmin e operacionit të kërkim-shpëtimit, më shumë se 249 mijë personel ishin në terren, sipas Presidencës Turke të Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD).

Më shumë se 11 mijë ekipe ndërkombëtare të kërkimit dhe shpëtimit morën pjesë gjithashtu në operacione.

Në total, rreth 100 vende i ofruan ndihmë Turqisë, ku shumë prej tyre kishin dërguar ekipe shpëtimi.

Të paktën 41 mijë e 156 njerëz u vranë dhe 105 mijë e 505 u plagosën nga dy tërmetet e forta që goditën Turqinë jugore më 6 shkurt, thanë zyrtarët të hënën.

Në Siri, të paktën 5 mijë e 800 njerëz u raportuan të vrarë, duke e çuar numrin e të vdekurve në të dy vendet afër 47 mijë.

Tërmetet me magnitudë 7.7 dhe 7.6, me qendër në provincën Kahramanmaras, prekën më shumë se 13 milionë njerëz në 11 provinca, duke përfshirë Adana, Adiyaman, Diyarbakir, Gaziantep, Hatay, Kilis, Malatya, Osmaniye, Sanliurfa dhe Elazig.

Disa vende në rajon, përfshirë Sirinë dhe Libanin, gjithashtu ndjenë lëkundjet e forta që goditën Turqinë në më pak se 10 orë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore