Lajme

Ish-zëvendëskryeministrja malazeze bllokohet në aeroportin e Beogradit, autoritetet serbe e ndalojnë e ia marrin pasaportën


Jovana Maroviç

Ish-zëvendëskryeministrja e Malit të Zi, Jovana Maroviç, nëpërmjet një postimi në platformën “X”, ka njoftuar se autoritetet serbe e kanë ndaluar të mërkurën dhe ia kanë pamundësuar hyrjen në territorin e Serbisë me arsyetimin se e njëjta paraqet rrezik për sigurinë e Serbisë.

Maroviç, e cila ka qenë ministre e Çështjeve Evropiane në Qeverinë e Malit të Zi të drejtuar nga Dritan Abazoviç, sipas mediave malazeze, me shumë gjasa do të detyrohet të kalojë natën në aeroportin e Beogradit “Nikolla Tesla” para se të kthehet në Podgoricë, ngase asaj i është sekuestruar edhe pasaporta.

Qendra për Edukim Qytetar (CGO) i ka bërë thirrje kryeministrit në mandat teknik dhe ministrit të Çështjeve Evropiane që të veprojë urgjentisht për t’i kthyer dokumentet personale Maroviçit dhe të mundësojë që ajo të kthehet në Mal të Zi me aeroplanin e parë të kthimit në Podgoricë.

“Gjithashtu presim që Qeveria dhe Ministria e Punëve të Jashtme t’i dërgojnë një notë proteste Qeverisë së Serbisë për shkak të këtij trajtimi të Maroviçit dhe të kërkojnë listën e të gjithë shtetasve malazezë të cilëve iu është ndaluar hyrja në Serbi në bazë të njëjtë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore