Shqipëria

Ish-kryebashkiaku i Lezhës dorëzohet në Polici


Ish-kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj është dorëzuar të premten e 28 tetorit në Policinë e Lezhës.

Gjykata e Apelit në Shkodër e dënoi më herët ish-administratorin e qytetit bregdetar me vendim të formës së prerë me 3 vite burg.

Kjo, për shpërdorim të detyrës dhe tjetërsim të pronave tek “Rana e Hedhun” në Shëngjin.

Frrokaj ishte i vetmi ish-zyrtar i pandehur që ndoqi dhënien e vendimit, por ai u largua nga salla pa u arrestuar, pasi vendimi pritet t’i jepet për ekzekutim policisë.

Në shtator të vitit 2020, Gjykata e Shkallës së parë në Lezhë do të shpallte fajtor ish-kryebashkiakun Frrokaj – duke e dënuar me katër vite burg.

Në drejtim të tij rëndonte akuza “Shpërdorim detyre”.

Ish-kryebashkiaku demokrat ishte nën akuzë për abuzimin me 234 mijë metra katrorë prona në bregdetin e Shëngjinit.

Apeli e riktheu fillimisht çështjen për gjykim në Shkallën e Parë, me pretendimin se nuk u zhvillua si një proces i rregullt ligjor.

Sipas motivimit të kësaj shkalle, pati shkelje procedurale si mosveçimi i çështjes.

Kryetari asokohe i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, do të reagonte fill pas arrestimit të Frrokajt.

“Sot u them të gjithë shqiptarëve se ne urojmë që Fran Frrokaj të jetë i pafajshëm. Qëndrim im dhe i PD-së mbetet i pandryshuar, të gjithë të jenë të barabartë para ligjit nga qytetarët e thjeshtë deri te politikanët e lartë”, do të shprehej fillimisht Basha.

Gjatë një konference për mediat nga selia blu, ish-kryedemokrati do të ravijëzonte kërkesën për transparencë dhe hetim të paanshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore