Shqipëria

Ish-komandanti i UÇK-së, kryeministër i Maqedonisë së Veriut


Kryeministri në ardhje i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

28 janari i vitit 2024 shënon ditën kur për herë të parë në krye të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut do të zgjidhet një shqiptar.

Talat Xhaferri, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare të Maqedonisë, që luftoi për të arritur atë që tashmë njihte si Marrëveshja e Ohrit, nën komandën e përgjithshme të Ali Ahmetit, do të jetë kryeministri i parë shqiptar.

Xhaferi pati bërë histori edhe kur u zgjodh kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, edhe aty ishte i pari shqiptar ndonjëherë.

Ali Ahmeti dhe Talat Xhaferi

Posti i kryeministrit në Maqedoni të Veriut nën udhëheqjen e shqiptarëve përbën një nga arritje më të paimagjinueshme jo vetëm për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.

Vetëm dy dekada më parë, pa të drejtë gjuhe, flamuri, simbolesh e shprehje të lirshme të identitetit kombëtar, udhëheqja e shtetit nga pozita e kryeministrit tash është zhvillim i jashtëzakonshëm.

Prandaj edhe është konsideruar më shumë se një ngjarje politike, por një kapitull i ri për shqiptarët në Maqedoni të Veriut dhe më gjerë.

Me Edi Ramën në Shqipëri, Albin Kurtin në Kosovë dhe Xhaferin në Maqedoni të Veriut, shqiptarët do të kenë tre kryeministra në Ballkanin Perëndimor – nga gjashtë shtete sa e përbëjnë këtë rajon.

Po të ndodhte kjo disa muaj më parë, në Ballkanin Perëndimor do të ishin katër kryeministra shqiptarë me Dritan Abazoviçin në Mal të Zi.

Udhëheqja e Maqedonisë së Veriut nga një figurë e Bashkimit Demokratik për Integrim, partia më e madhe shqiptare në Maqedoni, për 100 ditët e fundit të mandatit, erdhi pas marrëveshjes politike mes BDI-së e LSDM-së, partia më e madhe e maqedonasve.

Ashtu siç u dakorduan Ali Ahmeti e Dimitar Kovaçevski, në tre muajt e fundit kryeministrin do ta merrte partneri shqiptar i koalicionit qeverisës.

Ideja për kryeministrin shqiptar në Maqedoni të Veriut ishte artikuluar për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020. BDI-ja kishte dalur para shqiptarëve me premtimin për kryeministrin shqiptar.

Me t’u lansuar në publik premtimi i Ali Ahmetit, mori hov të jashtëzakonshëm në të gjithë rajonin. Kryeministri shqiptar u bë tema qendrore e të gjithë fushatës zgjedhore në Maqedoni të Veriut.

“Jo që besoj, por edhe do bëhet”, thoshte Ali Ahmeti në një nga intervistat e tij në fushatën e 2020-së, kur pyetej se a e beson me të vërtetë idenë e kryeministrit shqiptar, pasi që një numër i madh i njerëzve mendonin se kjo ishte vetëm një taktizim elektoral.

Mosbesimi për këtë ide kishte lindur për faktin se shqiptarët nuk janë shumicë në Maqedoni, por, prandaj edhe ekzistojnë marrëveshjet politike.

Pikërisht një e tillë në mes të LSDM-së – partisë më të madhe maqedonase e dalur në ato zgjedhje – dhe BDI-së për formimin e qeverisë, parashihej që në 100 ditët e fundit të qeverisjes, kryeministri të jetë shqiptar – ajo që tani po bëhet realitet.

Kush është Talat Xhaferi – kryeministri në ardhje i Maqedonisë së Veriut?

Talat Xhaferi ka lindur më 15 prill të vitit 1962 në fshatin Forinë afër Gostivarit – komunë e banuar me shumicë shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Shkollimin fillor e kreu në fshatin Çegran, ndërsa pas kësaj shkoi në Beograd, ku kreu gjimnazin ushtarak.

Ai studioi në Akademinë Ushtarake të Tokës Këmbësorike të Ushtrisë Popullore Jugosllave në Beograd dhe Sarajevë dhe u specializua në detyra komanduese dhe të stafit në Akademinë Ushtarake “Gjenerali Mihailo Apostolski” në Shkup. Nga viti 1985 deri në vitin 1991 ishte një oficer i ushtrisë jugosllave dhe prej vitit 1992 deri në 2001 ishte oficer i Armatës së Republikës së Maqedonisë.

Gjatë luftës në Maqedoni të Veriut në vitin 2001, Xhaferi ishte në fillim një oficer i lartë në ushtrinë maqedonase, për t’iu bashkuar më pas me Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), dhe u bë komandanti i saj i Brigadës 116 me nofkën e “komandant Forina”, nga vendlindja e tij.

Xhaferi u zgjodh deputet për herë të parë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në vitin 2002, nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim. Gjatë viteve 2004-2006 ishte zëvendësministër i Mbrojtjes

Ndërsa, nga viti 2008 deri në vitin 2013 Xhaferi ishte vetëm deputet.

Në vitin 2013 Xhaferi u emërua nga BDI Ministër i Mbrojtjes në kabinetin e Nikola Gruevskit. Emërimi i Xhaferit shkaktoi protesta nga ana e maqedonasve për shkak se kishte qenë komandant i UÇK-së.

Në prill të 2017-së, Xhaferi u zgjodh kryetar i parlamentit maqedonas nga një koalicion i partive shqiptare dhe partisë Socialdemokrate opozitare maqedonase në atë kohë (LSDM), për çka ishin shkaktuar trazira në ndërtesën e parlamentit.

Në të njëjtën pozitë Xhaferi do të rizgjidhej në vitin 2020, derisa nga kjo e diel ai do të jetë kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore