Lajme

Ish i burgosuri i Xinjiang-ut arrin në SHBA – do të dëshmojë mbi torturat që i kanë bërë


Ovalbek Turdakun, majtas, gruaja e tij Zhyldyz Uraalieva dhe djali i tyre Daniyel Ovalbek në rrugën e tyre për në SHBA

Ovalbek Turdakun as sot nuk e di se çfarë kishte vaksina që i inokuluan mjekët në qendrën e paraburgimit në Xinjiang, në vitin 2018.

Atij dhe 23 të burgosurve të tjerë iu tha se ishte një vaksinë për të parandaluar ftohjet.

Maegjithatë, Turdaku ka zbuluar se, pas injektimit, ai dhe shokët e tij të qelisë ndjenin dhimbje në veshë, duar dhe këmbë; lëng i verdhë doli nga veshët e tyre; madje disa kishin probleme edhe me ecjen.

Kur u lirua pas 10 muajsh paraburgim, Turdakun ende kishte vështirësi për të ecur.

Por, Turdakun është në mesin e afro 2 milionë njerëzve që mendohet se janë burgosur në kampet e paraburgimit masiv të Kinës në rajonin e Xinjiang-ut.

Të martën, Turdakun, gruaja e tij, Zhyldyz Uraalieva dhe djali i tij Daniyel Ovalbek mbërritën në Shtetet e Bashkuara me një autorizim të posaçëm imigrimi të quajtur lirim me kusht, i rëndësishëm për përfitim publik, i cili u lejon hyrjen njerëzve që do të ofronin “përfitim të rëndësishëm publik”, si p.sh. procedimi.

Në një intervistë me të përditshmen “The Guardian”, ai ka shprehur lehtësim për mbërritjen në SHBA pas muajsh pritjeje për miratimin e aplikacioneve të tyre.

“Ne pritëm mbi 100 ditë”, tha Turdakun përmes një përkthyesi. “Pra, është një ndjenjë e mrekullueshme të jesh në Amerikë”.

Ashtu si shumë të mbijetuar të tjerë, të cilët kanë folur publikisht për përvojën e tyre, Turdakun pretendon se u ndalua pa një gjykim të drejtë dhe se u torturua në mënyrë të përsëritur në “karriget e tigrit” – karrige çeliku, ku pengjet i mbajnë në pozicione të pakëndshme.

Ndryshe nga shumë prej të arrestuarve – shumica e të cilëve ujgurë dhe myslimanë – Turdakun është etnikisht kirgiz dhe i krishterë.

Rasti i tij ka shkaktuar shqetësime të mëtejshme se Kina po synon këdo që i përket një etnie dhe feje të ndryshme.

Kina ka kundërshtuar vazhdimisht të gjitha akuzat për abuzim të ujgurëve dhe pakicave të tjera etnike, por SHBA-të e ka akuzuar Pekinin për kryerjen e gjenocidit në Xinjiang.

Kur Turdakun u arrestua në shkurt 2018, zyrtarët thanë se ishte për shkak se e kishte tejkaluar vizën e tij gjatë një vizite në Kirgistan.

Gjatë marrjes në pyetje, u pyet vazhdimisht për fenë e tij, si dhe për martesën me gruan e tij, e cila kishte lindur në Kirgistan.

Pasi u lirua në dhjetor 2018, Turdakun u caktua në arrest shtëpie dhe u detyrua të punonte pa pagesë.

Ai u vu nën vëzhgim të vazhdueshëm për një vit. Nga frika se do të arrestohej përsëri, familja iku në Kirgistan në vitin 2019.

Atje, u kontaktua vazhdimisht nga autoritetet kineze, të cilat i kërkonin të kthehej në Kinë. Llogaria e tij bankare u bllokua dhe zyrtarët e Kirgistanit refuzuan t’ia rinovonin vizën pas dy vitesh, duke e vënë atë dhe familjen e tij në rrezik të dëbimit në Kinë.

Tani, avokatët ndërkombëtarë të të drejtave të njeriut, që po argumentojnë se Kina ka kryer krime kundër njerëzimit në një çështje që ata e kanë paraqitur në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (ICC), thonë se Turdakun mund të sigurojë prova, në bazë të të cilave ujgurët dhe pakicat e tjera etnike kineze po deportohen me forcë në Kinë nga vende si Taxhikistani.

Ndërsa çështja e ICC-së përqendrohet në përvojat e pakicave etnike kineze në Taxhikistan dhe në vende të tjera si një mbështetje për trajtimin e këtyre grupeve nga Kina, historia e Turdakun tregon se nuk janë vetëm myslimanët ujgurë ata që janë në shënjestër.

Ata që u arrestuan me Turdakun ishin kryesisht kirgize, kujtoi ai. Ai nuk ishte i sigurt se çfarë feje praktikonin, sepse nuk lejoheshin të flisnin.

Kirgizët ishin nën kërcënim të madh në Kinë, tha Ethan Gutmann, autor dhe hulumtues i studimeve mbi Kinën, i cili fillimisht u takua me Turdakun dhe familjen e tij si pjesë e kërkimit të tij.

“Ata nuk janë një pakicë e madhe etnike në Kinë, por janë nën kërcënim të madh”, tha ai. “Ata janë gjithashtu të krishterë. Kjo tregon se ky nuk është vetëm një sulm ndaj Islamit – është një sulm ndaj kujtdo me besime të thella fetare”.

Tani për tani, Turdakun shpreson se rasti i ICC-së do të “ndihmojë të bashkojë gjithnjë e më shumë familje që janë ndarë”.

Për familjen e tij, e cila besohet të jetë e vetmja njësi e paprekur familjare që është sjellë në SHBA pas largimit nga kampet e paraburgimit në Kinë, thotë se: “shpresa ime më e madhe është të bëhem shpejt një qytetar amerikan”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore