Lajme

Ish-diplomati serb: Me lirimin e tre policëve, Serbisë i është hequr përgjegjësia për situatën në Kosovë


Ish-diplomati serb Zoran Milivojeviç, beson se me rastin e lirimit nga paraburgimi të tre policëve të Kosovës është eliminuar mundësia që Serbia të jetë përgjegjëse në çfarëdo mënyre për tensionim të situatës në Kosovë.

Milivojeviç vlerëson se gjykata ka vepruar mirë, por procedurat e mëtutjeshme do të tregojnë shkallën e përgjegjësisë së tre policëve kosovarë që ishin rrëmbyer nga policia serbe.

“Mendoj se është një vendim i mirë i gjykatës, i cili nuk e vë në pikëpyetje procedurën gjyqësore në Serbi dhe përgjegjësinë e tyre. Ata u liruan dhe në njëfarë mënyre u hoq mundësia që Serbia të akuzohej për ndonjë gjë”, tha Milivojeviç për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug.

I pyetur nëse mendon se zgjedhjet e reja do të mbahen në katër komunat veriore, Milivojeviç thotë se është e qartë se BE-ja do të insistojë për këtë.

Por, ai mendon se zgjedhjet vështirë se do pranohen nga serbët, sepse nuk po përmendet themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe që është “garanci për një jetë normale të serbëve në Kosovë”.

“Kam frikë se kjo vështirë se është e pranueshme për serbët në Kosovë, sepse pa Asociacionin ata nuk kanë garanci për jetë normale, Mendoj se pa Asociacionin dhe kthimin në gjendjen e mëparshme, përfshirë angazhimin e autoriteteve të Kosovës, vështirë se mund të ketë deeskalim dhe normalizim të situatës dhe kthim në dialog”, theksoi Milivojeviç.

Zyrtarët policorë të Kosovës– Rifat Zeka, Beqir Sefa dhe Mustafë Shemi – të rrëmbyer nga strukturat e sigurisë së Serbisë më 14 qershor, thellë brenda territorit të Kosovës në pjesën veriore, janë liruar për t’u mbrojtur në liri, njoftoi të hënën Gjykata e Lartë në Kralevë – qytet në qendër të Serbisë.

Ndonëse aktakuza kundër tre policëve kosovarë është konfirmuar nga Prokuroria e Lartë Publike në Kralevë – ata ngarkohen me veprën penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim të paligjshëm të armëve dhe lëndëve plasëse – të njëjtit do të mbrohen në liri, pra është marrë vendimi t’u ndërpritet paraburgimi prej një muaji.

Rrëmbimi i tre policëve kosovarë në vendin e quajtur Tresave/Bare nga autoritetet serbe të sigurisë, kishte shtuar shtresa të reja në një atmosferë tashmë të njohur, por me rrezikun e rrëshqitjes drejt skajeve të përshkallëzimit të mëtejmë dhe ngjitjen drejt esktremeve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore