Lajme

Irpin është 80% nën kontrollin e Ukrainës


Kryebashkiaku i periferisë së Kievit (Irpin), Oleksandr Markushyn, tha se forcat e armatosura të Ukrainës, mbrojtja territoriale dhe policia “kanë 80% të qytetit tonë nën kontroll”.

Duke folur në televizionin ukrainas, Markushyn u shpreh se, “qyteti ynë po granatohet vazhdimisht nga sistemet ‘GRAD’. Shumë masivisht. Ata po godasin zonën e banimit, ndërtesat shumëkatëshe”.

Pavarësisht evakuimeve masive në javët e fundit, kryebashkiaku, i cili tha se shtëpia e tij ishte shkatërruar të mërkurën, vlerësoi se deri në 6 mijë njerëz janë ende në Irpin dhe se grupe të vogla po evakuohen çdo ditë.

“Rreth 4 mijë njerëz nuk duan të largohen fare nga qyteti. Ne i ndihmojmë ata me ushqime dhe furnizime mjekësore”, shtoi ai.

Policia kombëtare të mërkurën tha se po rifillojnë punën në Irpin, pjesa më e madhe e së cilës ishte e pushtuar nga forcat ruse.

Ishte një tjetër shenjë e mundshme që forcat ukrainase të sigurisë po rifitojnë territorin rreth kryeqytetit të Kievit.

Irpin, një periferi në veriperëndim të Kievit, ka parë javë të tëra luftimesh të ashpra dhe granatime të rënda që kur filloi pushtimi rus gati katër javë më parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore