Lajme

Irlanda i jep fund skemës që ofron rezidencë në këmbim të investimit


Irlanda ka mbyllur papritur programin dhjetëvjeçar që ofronte rezidencë në këmbim të investimeve nga qytetarët e pasur globalë.

Lëvizja vjen pas kritikave ndaj skemave të tilla nga Bashkimi Evropian dhe organe të tjera.

Programi i Investitorëve të Irlandës, i cili ka fituar pothuajse 1.25 miliardë euro që nga fillimi i tij në vitin 2012, u rrit në popullaritet vitin e kaluar, me numrin e aplikantëve kinezë që u trefishua.

Milionerët kinezë e kanë përdorur skemën për të siguruar një mundësi qëndrimi, duke pasur parasysh perspektivën e pasigurt ekonomike të vendit të tyre.

Por mbyllja vjen në një kohë të tensionit në rritje midis Perëndimit dhe Kinës mbi tregtinë dhe sigurinë.

Ministri i Drejtësisë Simon Harris ka thënë se programi u krijua gjatë një kohe me vështirësi ekonomike të paprecedentë për të nxitur investimet për përfitime strategjike dhe publike për Irlandën.

Por ai ka thënë se ishte në shqyrtim për disa kohë.

“Ne kemi marrë gjithashtu një numër raportesh dhe gjetjesh nga organet ndërkombëtare si Komisioni i BE-së, Këshilli i Evropës dhe OECD”, ka thënë Harris në një deklaratë.

BE-ja vitin e kaluar u bëri thirrje vendeve anëtare që t’i jepnin fund të ashtuquajturave skema të pasaportave të arta mes frikës së sigurisë.

Programi i Irlandës nuk siguronte një pasaportë dhe marrësit duhej të kalonin vetëm një ditë në vit në vend.

Që nga fillimi i skemës në vitin 2012, investitorët kinezë, përfshirë ata nga Hong Kong-u, kanë llogaritur më shumë se 90 për qind të aplikantëve të suksesshëm në programin IIP të Irlandës.

Investimet dhe aplikimet ekzistuese që janë dorëzuar tashmë nuk do të preken, ka deklaruar qeveria.

Programi IIP ishte i hapur për individë me pasuri personale prej më shumë se 2 milionë euro.

Skema lejonte investimin prej 1 milion euro për të paktën tre vjet në një fond të miratuar ose një investim prej 2 milion euro në një trust investimi në pasuri të paluajtshme në Irlandë.

Përndryshe, individët mund të bëjnë një donacion të pakthyeshëm prej 500 mijë euro nëse do të dorëzoheshin pesë ose më shumë aplikime së bashku, në projekte në art, sport, shëndetësi, kulturë ose arsim.

Sakaq, Irlanda është bërë një zgjedhje joshëse pjesërisht për shkak të problemeve me skema të ngjashme diku tjetër.

Brexit e bëri Mbretërinë e Bashkuar një opsion më pak tërheqës edhe përpara se Londra të ndalonte programin e saj të investitorëve emigrantë në shkurt të vitit të kaluar për shkak të shqetësimeve të sigurisë. Skema e SHBA-ve ishte gjithashtu në pritje për muaj të tërë.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore