Lajme

Irani pranon të rifillojë bisedimet e marrëveshjes bërthamore


Përmes një deklarate të negociatorit iranian, Ali Bagheri, të mërkurën e 27 tetorit, u zbulua dakordësimi për rifillimin e bisedimeve për marrëveshjen bërthamore – në muajin nëntor.

“Ne jemi dakord që të fillojmë negociatat para fundit të nëntorit. Data e saktë do të shpallet gjatë javës së ardhshme”, tha Bagheri, i cili është edhe zëvendësministër i Jashtëm, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve IRNA.

Bashkimi Evropian është përpjekur të rifillojë negociatat për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të Iranit.

Kjo e fundit e u braktis pasi ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja në vitin 2018.

Negociatat mbi ringjalljen e marrëveshjes bërthamore kanë ngecur që nga zgjedhja e presidentit iranian Ebrahim Raisi në muajin qershor.

Raisi ka emëruar disa zyrtarë në kabinetin e tij, duke bërë presion ndaj SHBA-ve për të bërë lëshime në bisedimet bërthamore.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken deklaroi në muajin shtator se afatit të Iranit po i vinte fundi.

Washington-i zyrtar ka paralajmëruar për një “Plan B” në rast se diplomacia dështonte me Iranin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore