Lajme

Irani ‘lëshon pe’ në bisedimet për marrëveshjen bërthamore, sipas zyrtarit amerikan


Irani ka hequr dorë nga disa prej kërkesave të tij kryesore për ringjalljen e një marrëveshjeje për të frenuar programin bërthamor të Teheran-it.

Kjo, duke përfshirë këmbënguljen e tij që inspektorët ndërkombëtarë të mbyllin disa hetime të programit të tij atomik, gjë që mund të afrojë mundësinë e një marrëveshjeje, tha një zyrtar i lartë amerikan për agjencinë “Reuters”.

Shtetet e Bashkuara synojnë t’i përgjigjen së shpejti projekt-marrëveshjes së propozuar nga Bashkimi Evropian.

Ajo do të rikthejë marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 me Iranin, të cilën ish-presidenti Donald Trump e braktisi dhe presidenti aktual Joe Biden ka kërkuar ta rikthejë.

Zyrtari, duke folur në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, u shpreh se megjithëse Teherani ka thënë se Washington-i ka bërë lëshime, Irani ka hequr dorë nga disa prej kërkesave kryesore.

“Ne mendojmë se ata më në fund e kanë kaluar Rubikonin dhe kanë lëvizur drejt rikthimit të mundshëm në marrëveshje me kushte që Presidenti Biden mund të pranojë”, deklaroi një zyrtar amerikan për agjencinë e lajmeve “Reuters”. “Nëse jemi më afër sot, kjo është për shkak se Irani ka lëvizur. Ata lëshuan pe për çështje që i kanë mbajtur shtrënguar që në fillim”.

Irani tashmë ka hequr dorë kryesisht nga kërkesa e tij që Shtetet e Bashkuara të heqin përcaktimin e Gardës Revolucionare të Iranit si një organizatë e huaj terroriste, tha zyrtari me tej.

Teherani donte gjithashtu një garanci që Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike do të mbyllte hetimet që kishin të bënin me gjurmë të pashpjegueshme të uraniumit.

Bordi i Guvernatorëve të IAEA-s në qershor miratoi me shumicë dërrmuese një rezolutë që kritikonte Iranin për dështimin për të shpjeguar praninë e gjurmëve të uraniumit në tre vende të padeklaruara.

Zyrtari tha se mbeten boshllëqe midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit dhe se “mund të zgjasë pak më shumë” për t’u arritur një marrëveshje përfundimtare, gjithnjë nëse kjo do të jetë e mundur.

“Ne po studiojmë përgjigjen e Iranit tani dhe do t’i kthehemi së shpejti”, tha zyrtari.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore