Lajme

IPK-ja aksion në pesë lokacione të ndryshme kundër organizimit të lojërave të fatit


Inspektoriati Policor i Kosovës.

Inspektorati Policor i Kosovës, ka bërë të ditur se janë realizuar operacione në pesë lokacione të ndryshme, ndaj disa të dyshuarve për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të kundërligjshëm.

Lajmin e ka bërë të ditur IPK-ja përmes një komunikate për media ku ka thënë se operacioni është zbatuar me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

“Sot që nga orët e hershme të mëngjesit, Inspektorati Policor i Kosovës (tutje IPK), i mbështetur nga njësi të reagimit të shpejtë të policisë është duke zbatuar një urdhëresë të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, për kontroll dhe sekuestrim të dëshmive që do të gjenden gjatë kontrollit”.

“Operacioni po zhvillohet në pesë (5) lokacione të ndryshme ndaj disa të dyshuarve për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të kundërligjshëm”, thuhet në komunikatë.

Inspektoriati Policor i Kosovës.

Nga IPK-ja është thënë se do të ketë informata gjatë ditës për ecurinë e operacionit dhe veprimet e ndërmarra në konsultim me prokurorin e rastit në zbatim të urdhëresës së gjykatës.

Edhe nga departamenti i Krimeve Kibernetike në kuadër të Policisë së Kosovës është duke e realizuar një operacion policor, i cili përfshinë disa lokacione të ndryshme, në disa rajone të Kosovës.

Lajmin e ka konfirmuar për Albanian Post, zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani.

“Operacioni policor është duke u realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, tha ai.

Kelani ka theksuar se pas përfundimit të operacionit pritet të bëhen të ditura detajet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore