Shqipëria

Investimet e huaja, sa i duhen Shqipërisë dhe sa i afron ato?


Sipas raportit të bilancit të pagesave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, për vitin 2020 investimet e huaja direkte në Shqipëri kanë qenë 933 milionë euro.

“Kryesisht investimet në Shqipëri vijnë nga vendet fqinje si Italia dhe Greqia. Këto vende kanë treguar një interes në zhvillimin ekonomik të vendit”, shprehet për Albanian Post politologu Shpend Gashi.

Gashi shton se vitet e fundit, qeveria shqiptare u ka hapur rrugë edhe investimeve të vendeve të lindjes, të cilat janë shoqëruar me rritjen e flukseve të kapitalit në këto vende.

Investimet Italiane, shprehet politologu, janë të përqendruara në rajonin Perëndimor të Shqipërisë, në afërsi të detit Adriatik, ndërsa ato greke më shumë në jug, në sektorë të lehtë të ekonomisë. Një veçori e investimeve italiane, thotë Gashi, është se ato gjenden kudo, si në industri të vogla, ashtu edhe në ato të rënda.

Këtë influencë, në varësi të pozicionit gjeografik, ai e shpjegon edhe si një fakor ndikues në migracionin e brendshëm të popullsisë.

“Pra shihet edhe influenca në varësi të pozicionit gjeografik të vendit. Një përqendrim i tillë, ndonëse justifikohet nga pikëpamja ekonomike, përbën një forcë shtytëse për lëvizjen e popullsisë nga zonat më të varfra rurale të vendit në drejtim të qyteteve të mëdha”.

Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), me anë të një eMaili-i për Albanian Post është përgjigjur se fusha me prezencën më të lartë është ajo e Shërbimeve me 33% ndaj totalit të kompanive aktive ose ndryshe 4 mijë e 204 kompani.

“Kjo fushë ndiqet nga ajo e Tregtisë, me shumicë dhe pakicë, me një diferencë të vogël prej 2% duke rezultuar në 31% ndaj totalit ose 4 mijë e 25 kompani. Fusha të tjera me prezencë të lartë të kompanive me kapital të huaj/të përbashkët janë ajo e Industrisë përpunuese, Ndërtimit dhe Informacionit & Komunikacionit me përkatësisht 1 mijë e 598, 1 mijë e 218 dhe 840 kompani”.

Për investimet e shteteve tjera, Shpendi tha se ato turke janë kryesisht të përqendruara në industrinë e rëndë, kurse ato amerikane “në sisteme, të cilat apriori rregullojnë sistemin financiar dhe jo vetëm”.

Nga ana tjetër, eksperti i ekonomisë, Vjoldi Danaj thotë që vitet e fundit, sasia e investimeve të huaja ka rënë në Shqipëri.

“Pjesa më e madhe e atyre që po investojnë në Shqipëri fokusohet thjesht në sektorin e shërbimeve”.

Danaj nuk e mohon faktin që ka edhe investitor që po interesohen në sektorë të rëndësishëm ekonomik, si infrastruktura apo energjia, por numri i tyre, në krahasim me vitet e kaluara ka pësuar rënie.

Ligji shqiptar për investimet e huaja

“Lehtësimet për investimet e huaja kanë qenë parullë e të gjithë krahëve politike për shumë vite”, thotë Shpendi.

Sipas politologut, Shqipëria i ka lehtësuar politikat e saj për investimet e huaja, por sjellja dhe burokracirat politike, nuk e favorizojnë klimën e investimeve nga jashtë.

Ashtu mendon edhe profesori i ekonomisë, dr. Rezart Prifti.

Ai për Albanian Post shprehet se investitorët e huaj, kryesisht ekipet e tyre të avokatëve, “lundrojnë në sistemin ligjor shqiptar për bukuri”. Thënë këtë, shton ai, duhet theksuar se ligjet për investitorët e huaj nuk kanë qenë ndonjë herë pengesë në kuptimin e parë të fjalës, pra në teori.

Në spektrin ekonomik, Danaj thotë që ligji shqiptar, në krahasim me vendet e rajonit, “nuk është aq i favorshëm për investitorët e huaj”. Ai e argumenton këtë me arsyetimin se “ligji i taksimit vijon të mbetet shumë i lartë. Në këtë mënyrë, investitori i huaj nuk është i interesuar të vijë dhe të paguajë taksa të larta këtu, kur fare mirë mund t’i paguajë në vendin e vet”.

AIDA ka listuar një sërë faktorësh, të cilët favorizojnë investitorët dhe bën të mundur shtimin e investimeve të huaja.

Për institucionin, klima liberale dhe reformiste e Investimeve dhe kostoja konkurruese e punës ndikon në shtimin e investimeve të huaja.

“Gjithashtu, faktor përthithës investimesh janë edhe taksat dhe incentiva konkurruese, vendndodhja gjeografike optimale, potencial i fortë rritjeje, hyrje e lirë në tregjet e mëdha dhe stabiliteti makroekonomik”.

Faktorët pengues të investitorëve të huaj

Gashi e sheh problemin kryesor për mosardhjen e investitorëve të huaj në Shqipëri tek keqinterpretimi dhe moszbatueshmëria e ligjit sesa tek ekzistenca e një ligji favorizues për investimet.

“Premtimet në raport me zbatimet konkrete janë të tehuajësuara ndaj njëra-tjetrës. Në Shqipëri me shumë problem se formulimi është zbatimi i legjislacionit. Është më e vështirë dhe më e kushtueshme të fillosh një biznes, ndërkohë që në rast falimenti, zvarritjet proceduariale, të cilat janë të paqarta dhe jo të shprehura në mënyrë direkte, janë më të gjata”.

Për Gashin, ekzistojnë një seri faktorësh që historikisht kanë ndikuar negativisht në frymën e investimeve të huaja.

“Faktorët që i pengojnë investitorët për të ardhur në Shqipëri janë disa, si: paqëndrueshmëria politike, mangësi në kuadrin ligjor dhe zbatimin e tij, infrastrukturë e dobët financiare, problemet e administrimit, shpronësimi dhe kompensimi, korrupsioni dhe imazhi i keq që ia kemi vënë vetes”.

“Këto nuk dëmtojnë vetëm investitorët e huaj, por edhe vetë klimën e brendshme për investim privat”.

Eksperti ekonomik,  Leons Hasani, shprehet se {paqëndrueshmëria politike, protestat e dhunshme, krimi i organizuar dhe mungesa e stabilitetit socio-ekonomik bëjnë që investitorët e huaj të ndërrojnë destinacionin e investimit{.

Sipas Priftit, katër janë arsyet kryesore që pengojnë investitorët të vijnë në Shqipëri. Duke filluar nga korrupsioni si pengesa më e madhe dhe duke mbaruar në mungesën e burimeve njerëzore.

“Së pari, është korrupsioni në nivele të frikshme. Shkalla e korrupsionit, sidomos për investitorët e huaj, është ne nivele më të larta nga ato që deklarohen nëpër indekse. Korrupsioni fillon nga hallkat më të vogla si e drejta për të marre ujë dhe drita nga institucionet përkatëse, deri tek administrata tatimore, gjykata, dhe në raste investimesh strategjike deri në nivele ministrore”.

“Së dyti, sistemi në kolaps i drejtësisë, i cili nuk u jep zgjidhjeve problemeve mes palëve duke shkaktuar miliona euro dëme dhe burime investimesh të humbura”.

“Së treti, problemet me sistemin e tokave. Asnjë investitor i huaj nuk ka guxuar të hyjë dhe të bëjë investim në toka private në vendin tonë dhe dy raste që kanë qenë u është dhënë toke shteti me garanci”.

“E katërta, mungesa e burimeve njerëzore. Është shqetësuese mungesa e burimeve njerëzore dhe dallohet edhe në shërbimet e outsourcing, që bëhen nga firma të huaja në vendin tonë. Ato kryesisht kryejnë shërbimet e fasonerisë në IT, financë, call center dhe shërbime klienti. Së fundi, është mungesa e vizionit qeveritar dhe administrata e keqndërtuar që e bën një proces kafkian çdo rrugëtim të çdo investitori”.

Si ndikojnë investimet e huaja në ekonominë e Shqipërisë?

“Ato (investimet e huaja) mund të përdoren si një levë e fuqishme zhvillimi për vendin duke kontribuar përmes përmirësimit të kapitalit në vend, futjes së teknologjive të reja, rritjes së produktivitetit, përmirësimit të mjedisit, krijimit të vendeve të punës”, shkruhet në eMailin e AIDA-s për sa i përket pyetjes se si ndikojnë investimet e huaja në ekonominë e Shqipërisë.

Po, sipas Danajt, që të konsiderohen investime të mirëfillta, ato duhet të bëjnë ndryshime si në ekonominë e një vendi, ashtu edhe në jetën sociale të tij.

“Nëse investimet janë madhore dhe afatgjata, ndikojnë në uljen e papunësisë, në rritjen ekonomike dhe si rrjedhojë edhe të konsumit. Kemi një qarkullim më të mirë të ekonomisë kombëtare”.

Por, mendimin që investimet në vendin tonë janë në rënie, e mbështesin të dy ekspertët e ekonomisë, si Prifti ashtu edhe Danaj.

Sipas Danajt, qeveria duhet të krijojë një strategji për të përthithur investitorë. Në Shqipëri, thekson eksperti i ekonomisë, mungojnë zonat e lira ekonomike dhe parqet industriale.

“Maqedonia e Veriut, ka zona të lira ekonomike dhe nëpërmjet tyre ka bërë të mundur thithjen e investimeve dhe investitorëve të huaj. Në Maqedoninë e Veriut, sot, kemi prezencën e Mercedes-it, prezencën e Philip Morris-it, Fiat-it, pra kompani me emër botëror, që mund të bëjnë pjesë edhe në industrinë e rëndë”.

Për Priftin, mungesa e investitorëve të huaj “e lë vendin tonë në arenën ndërkombëtare me reklamën më të keqe të mundshme”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore