Lajme

Intervistohen kandidatët për Kryeprokuror të Prokurorisë Speciale – në mesin e tyre edhe Blerim Isufaj


Foto: Këshilli Prokurorial i Mediave (KPK).

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), të premten ka mbajtur procesin e intervistimit të kandidatëve për pozitën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, në mesin e tyre ka qenë edhe Blerim Isufaj i cili kandidon edhe për një mandat në krye të Speciales.

Përmes një komunikate nga KPK-ja është thënë se i intervistuar ka qenë kandidati i vetëm për pozitën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnulla Gashi.

“Procesi i intervistimit të kandidatëve për pozitën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë është monitoruar nga përfaqësues të Ambasadës Amerikane, Misionit për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), Zyrës së BE-së në Kosovë, Programit të BE-së për Sektorin e Drejtësisë në Kosovë (EUKOJUST) dhe shoqërisë civile”, thuhet në komunikatën për media.

Nga KPK-ja është thënë se mediat dhe opinionin publik do të mbahen të informuar në vazhdimësi lidhur procedurat dhe procesin e mëtejshëm të përzgjedhjes së këtyre pozitave në sistemin prokurorial.

Blerim Isufaj i ka hyrë edhe garës për Kryeprokuror të Prokurorisë Speciale, teksa emri i tij për Kryeprokuror të Shtetit i ka shkuar për të dytën herë në tavolinë presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, ndonëse kjo e fundit kishte refuzuar ta dekretojë me 17 tetor, duke e konsideruar procesin e përzgjedhjes si të korruptuar.

Në krye të PSRK-së, aktualisht qëndron Isufaj, ndërsa në atë të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi.

Që të dy ishin zgjedhur në këto pozita më 23 dhjetor të vitit 2019 me shumicë të votave të anëtarëve të KPK-së.

Ndërsa për zgjedhjen e kryeprokurorëve në Speciale, KPK ka caktuar anëtarët Jetish Maloku, Ardian Hajdaraj, Besim Kelmendi, Arian Gashi dhe Agron Beka.

Kurse, në Komisionin Vlerësues për Zgjedhjen e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, KPK ka zgjedhur Jetish Maloku, Ariana Shajkovci, Merita Bina-Rugova, Jehona Grantolli dhe Ardian Hajdaraj.

Më 1 nëntor, AP pati raportuar ekskluzivisht se emri i Isufajt i është dërguar presidentes Osmani për dekretim për Kryeprokuror të Shtetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore