Lajme

Intervistë | Vogel: Rikthimi i Trump, fatkeqësi për Kosovën – mund të ringjallet ideja e shkëmbimit të territoreve


Toby Vogel

Rikthimi i Donald Trump në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), marrë për bazë edhe trashëgiminë kontraverse të ish-Emisarit Special për Ballkanin Perëndimor, Richard Grenell, do të ishte një “fatkeqësi” për kontinentin evropian dhe rajonin, posaçërisht për Kosovën. 

Një mandat i dytë i Trump, gjithmonë nëse fiton zgjedhjet presidenciale në SHBA në nëntor të vitit 2024, kombinuar nga një fitore paraprake e së djathtës ekstreme evropiane në zgjedhjet për Parlamentin Evropian (PE) në qershor, mund të ndryshojnë për të keq rrjedhën e zhvillimeve.

Ky është vlerësimi i një prej njohësve më të njohur të zhvillimeve në politikën e jashtme, Toby Vogel, i cili, duke folur për dilemën e (pa)sigurisë në optikën e realiteteve të reja gjeopolitike, shpreh drojën se viti i ri do të sjellë “surpriza të këqija” për kontinentin evropian në përgjithësi.

Në sytë e një prej vëzhguesve eminentë të zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, as perspektiva e këmbimit të territoreve apo ripërcaktimit të kufijve nuk mund të izolohet, sidomos nëse Trump fiton zgjedhjet e nëntorit dhe Grenell zgjidhet Sekretar i Departamentit të Shtetit.

Në prag të përmbylljes së një viti që ka qenë vërtetë vit i rrethanave të jashtëzakonshme e rrjedhimisht, një vit i zhvillimeve sfiduese, veçërisht sa i përket rrjedhës së tensionuar në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, ai konsideron se viti ’24 do të jetë edhe më i vështirë për procesin e dialogut.

Vogel vlerëson se procesi i dialogut Prishtinë-Beograd nën kujdesin e Bashkimit Evropian (BE) prej kohësh vijëzohet pak nga pak, duke ndërruar drejtim si përgjigje ndaj krizave të reja. Madje, dialogu për normalizimin e marrëdhënieve, sipas tij, nuk është më çështje e nivelit të lartë për BE-në, kryesisht për shkak të sfidave të tjera në skenën ndërkombëtare.

Sa i përket kërkesës së bashkësisë ndërkombëtare që Serbia ta njohë de facto pavarësinë e Kosovës në bazë të planit franko-gjerman, ai vlerëson se njohja e synuar de facto nuk e zgjidhë problemin midis dy fqinjëve armiqësorë, ngase sipas tij, njohja de facto do ta linte Kosovën në “harresë ligjore” për vitet në vijim, rrjedhimisht do të vazhdonte status quo-ja.

Intervistë | Toby Vogel, specialist në fushën e paqes dhe konfliktit, migracionit, demokracisë dhe politikës së jashtme të BE-së në Këshillin për Politikat e Demokratizimit (DPC):

Albanian Post: Dialogu Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin e BE-së synon të arrijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme, por pavarësisht se një marrëveshje është arritur këtë vit (Bruksel, 27 shkurt dhe Ohër, 18 mars) asnjëra nga palët nuk ka filluar zbatimin e obligimeve të ndërmarra. A është koha për një lloj të ri të formatit?

Toby Vogel: Dialogu në formën e vet origjinale ka vdekur prej shumë vitesh. Fokusi i synuar në një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme është zëvendësuar nga fokusi i zgjidhjeve të krizave të ndryshme. Dialogu është kthyer në një mekanizëm për zgjidhjen e konflikteve – konflikte të nxitura ose të krijuara kryesisht nga Beogradi.

Procesi i dialogut ka të ngjarë të çalojë derisa Komisioni aktual Evropian (KE) të largohet nga pozita – përveç nëse shtetet anëtare kryesore kërkojnë një rishikim të politikave dhe rifillimin e dialogut, dicka që unë nuk e shoh të ndodhë. Vendosja e dy zyrtarëve në krye të dialogut nga vendet mosnjohëse brenda BE-së (Spanja dhe Sllovakia) ka qenë një gabim i madh.

Por dialogu e ka humbur rrugën, dhe kjo nuk është vetëm për shkak të (Josep) Borrell dhe (Mirosllav) Lajçak. Iniciativa franko-gjermane ka konfirmuar uljen e ambicieve, një gabim kyç që Berlini tani duket se e ka njohur – prandaj janë ripërtërirë bisedat për “njohje de facto“.

Megjithatë, nuk mund të shoh që shtetet anëtare të këmbëngulin për rinisjen e dialogut, jo përpara zgjedhjeve evropiane në qershor. Aktualisht, dialogu thjesht nuk është një çështje e nivelit të lartë për askënd në BE.

Albanian Post: Viti 2023 ka qenë vërtetë vit i rrethanave të jashtëzakonshme dhe rrjedhimisht, një vit i zhvillimeve sfiduese. Pra, ka të ndodhur që edhe një vit pas të ngritet pyetja: Çfarë do të bëhet me Kosovën? Çfarë do të sjellë viti 2024 në optikën e realiteteve të reja gjeopolitike?

Toby Vogel: Nëse viti 2023 ka qenë sfidues, unë shqetësohem edhe më shumë për vitin 2024, në të cilin po hyjmë me dy luftëra të mëdha në Evropë dhe fqinjësinë e afërt. Perspektivat për Ukrainën duken shumë më keq se sa në pranverën dhe verën e këtij viti dhe vendosmëria perëndimore për të mbështetur Kievin duket se po shembet.

Zgjedhjet presidenciale në SHBA në nëntor dhe zgjedhjet për PE-në në qershor ka shumë të ngjarë të sjellin surpriza të këqija për këdo që kujdeset për lirinë dhe demokracinë – një administratë të dytë të mundshme të Trump dhe një fitore të së djathtës ekstreme në Evropë.

Sa i përket Kosovës, kemi një regjim serb që duket i vendosur të gërmojë përballë protestave dhe të cilit mund t’i duket e përshtatshme për të krijuar incidente në Kosovë pas përballjes me zero pasoja për Banjskën. Po ashtu, refuzimi dhe shkelja e komponentëve themelorë të Marrëveshjes së Ohrit nga Beogradi, nuk kanë marrë përgjigje kuptimplotë nga Perëndimi.

Albanian Post: Kosova vazhdon të mbetet nën masat ndëshkuese të BE-së. Serbia, përkundër një inkursioni të hapur terrorist në pjesën veriore të Kosovës, nuk është ndëshkuar, derisa vazhdon politikën e balancimit mes Perëndimit dhe Lindjes. A të duket e padrejtë?

Toby Vogel: Unë mendoj se kushdo që e sheh këtë situatë do të arrinte në përfundimin se është e padrejtë. Beogradi nuk është përballur kurrë me pasoja për qasjen obstruksioniste gjatë gjithë ketyre viteve. Nuk është vetëm Banjska – ndër gjërat e para që ka bërë Beogradi pas Marrëveshjes së Ohrit ka qenë bllokimi i pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE), një shkelje e drejtpërdrejtë dhe e qartë e marrëveshjes. Tashmë ka refuzuar zyrtarisht, edhe me shkrim, premisën e Ohrit dhe çdo gjë që i afrohet njohjes de facto.

Albanian Post: Liderët e BE-së i kanë bërë thirrje Serbisë që ta njohë de facto Kosovën, ndërsa pret që Kosova të formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe (ASMM). A janë njohja de facto dhe ASMM-ja të mjaftueshme për të zgjidhur të gjitha problemet? Cila mendoni se është rruga e duhur?

Toby Vogel: Kjo nuk do të zgjidhte të gjitha problemet, por do të mundësonte trajtimin e tyre. Është një parakusht për çdo përparim domethënës në disa nga çështjet e tjera të hapura. Megjithatë, të jemi të qartë: njohja de facto do ta linte Kosovën në harresë ligjore për shumë vite në vijim ngase do të hiqte çdo nxitje për pesë mosnjohësit brenda BE-së për të ndryshuar qëndrimin e tyre dhe për ta njohur Kosovën. Njohja de facto jo vetëm që do të dështonte ta afronte Kosovën drejt marrjes së statusit të vendit kandidat, por në fakt do të përforconte statusin e saj aktual (non-status).

Albanian Post: A mendoni se draft-statuti i BE-së për ASMM-në do ta kalojë testin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës? A shihni autonomi territoriale për serbët kosovarë në propozimin e fundit? Pra, në sytë tuaj, do të ketë kompetenca ekzekutive ky mekanizëm?

Toby Vogel: Nuk e di se çfarë do të vendosë Gjykata Kushtetuese, duhet të shohim. Por është e qartë se problemi me ASMM-në nuk është domosdoshmërisht vetëm struktura kushtetuese dhe kompetencat formale, por gjërat konkrete siç është aftësia e Beogradit për të financuar drejtpërdrejt shërbimet komunale, duke anashkaluar qeverinë në Prishtinë. Kjo do t’i jepte (Aleksandër) Vuçiçit një levë ndërkombëtarisht të miratuar dhe të garantuar të ndikimit të drejtpërdrejtë mbi çështjet e serbëve në Kosovë.

Albanian Post: Tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë bërë pjesë e një prblemi më të madh të paqëndrueshmërisë në Ballkanin Perëndimor, duke qenë se nën hijen e konflikteve të mëdha, papritur shpërthejnë konfliktet e ngrira. Shihni ndonjë arsye për alarm?

Toby Vogel: Mendoj se ne po hyjmë në një territor shumë të rrezikshëm në vitin 2024. Vuçiç, siç e kam thënë edhe më herët, mund t’i shkojë përshati krijimi i konflikteve në Kosovë. Ne kemi një situatë të paqëndrueshme në Bosnje dhe Hercegovinë – një konflikt të afërt për pronën shtetërore dhe shumë çështje të tjera – dhe paqeruajtësit e BE-së (EUFOR) janë krejtësisht të papërgatitur dhe të papajisur mirë. BE-ja nuk ka asnjë strategji se si të merret me krizat e ndryshme që mund të zhvillohen në javët dhe muajt e ardhshëm, dhe shefat e saj politikë duket se po e mohojnë.

Albanian Post: Kosova ka aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, por deri tani asnjë vendim nuk është marrë në Bruksel. Gjithashtu, sipas një sondazhi të fundit, shumica e evropianëve janë të ftohtë ndaj kandidaturës së Kosovës. Çfarë i shtyn qëndrimet e qytetarëve evropianë ndaj zgjerimit, veçanërisht ndaj anëtarësimit të Kosovës?

Toby Vogel: Ky është rezultat i dështimit të politikanëve në Evropën Perëndimore për t’u shpjeguar qytetarëve të tyre se BE-ja nuk është një kopsht i rrethuar me mure që mund t’i mbajë problemet jashtë, por se në fakt është në interesin tonë të shohim Ballkanin Perëndimor të transformuar.

Për fat të keq, procesi i anëtarësimit në BE është zhveshur pothuajse tërësisht nga fuqia transformuese dhe është kthyer në një stërvitje teknokratike në emër të respketimit të rregullave dhe ndihmon kryesisht elitat aktuale që kanë kapur plotësisht shumicën e këtyre shteteve.

Brenda, gjithashtu, BE-ja e ka humbur pamjen se çfarë duhet të jetë – pra një komunitet vlerash i bazuar në sundimin e ligjit. Vetëm shikoni shantazhin e vazhdueshëm të Hungarisë ndaj BE-së mbi fondet e ngrira, retorikën ksenofobike dhe thellimin e lidhjeve me autokratët ballkanikë.

Kolektivisht, ne jemi kthyer prapa dhe jemi bërë edhe më të paqartë se dikur, votojmë për partitë në rritje të ekstremit të djathtë, anti-imigrante dhe islamofobe. Është e vështirë të thuash se çfarë i shtyn ndjenjat negative për Kosovën, duke qenë se shumica e evropiano-perëndimorëve nuk do të mund ta gjenin Kosovën në hartë.

Thjesht mund të ndodhë që Kosova të shkaktojë imazhe të konfliktit në një mënyrë që, për shembull, Mali i Zi nuk e bën – ose një asociim i paqartë me “probleme”. Në përgjithësi, liderët e BE-së kanë bërë një punë të keqe për të shpjeguar rëndësinë e zgjerimit për elektoratin e tyre.

Albanian Post: Çfarë prisni nga zgjedhjet e ardhshme të BE-së dhe SHBA-së sa i përket mbështetjes për Kosovën? A shihni ndonjë ndryshim të mundshëm në politikat e BE-së dhe SHBA-së në lidhje me Ballkanin Perëndimor në dritën e zhvillimeve të reja gjeopolitike?

Toby Vogel: Kam frikë se duket e zymtë. Një administratë e dytë e Trump, ndoshta Grenell si Sekretar Shteti, do të ishte një fatkeqësi për marrëdhëniet transatlantike, për Evropën dhe për Ballkanin Perëndimor, veçanërisht për Kosovën. Do të përshpejtonte një dinamikë të rrezikshme të fushëbetejës në Ukrainë duke e privuar vendin nga furnizimet kritike të armëve.

Kjo nga ana tjetër vetëm do të thellonte tendencën e evropianëve për të ndërtuar politikën e tyre ballkanike rreth Serbisë si hegjemon lokal. Nuk do të isha aspak i befasuar të shihja të rishfaqej edhe ideja e “shkëmbimit të territoreve” – d.m.th., ndarja e Kosovës si çmim për pavarësinë.

Albanian Post: BE-ja dhe SHBA-të i kanë kërkuar Serbisë që të përmirësojë procesin zgjedhor dhe hetim për parregullsitë e supozuara në zgjedhjet e 17 dhjetorit. Si e keni parë procesin e përgjithshëm dhe çfarë tregojnë rezultatet e zgjedhjeve, veçanërisht sa i përket marrëdhënieve me Kosovën?

Toby Vogel: Historikisht, zgjedhjet janë momente të rrezikshme për autokratët që dëshirojnë shfaqjen e legjitimitetit demokratik. Ato janë të rrezikshme sepse edhe në një mjedis si Serbia ku regjimi kontrollon pothuajse plotësisht sferën publike, mund të ketë gjithmonë surpriza. Dhe nëse ka një gjë që do t’i zemërojë votuesit është kur votat e tyre vidhen. Kjo është e vetmja gjë që mund të shkaktojë protesta masive.

Përderisa thirrjet e SHBA-së dhe BE-së kanë qenë të sakta në thelb, ata pretendojnë se përmirësimet janë disi të një natyre teknike. Por problemi i vërtetë nuk janë njerëzit që po transportohen me autobus nga Republika Sërpska – problemi i vërtetë është natyra e regjimit të Vuçiçit.

Por meqenëse SHBA-të dhe BE-ja e kanë bazuar të gjithë politikën e tyre për Ballkanin Perëmdimor në rolin e supozuar konstruktiv të Serbisë në rajon, ata nuk mund ta thërrasin Serbinë për shkeljet.

Kjo është një sharadë nga fillimi në fund, dhe do të dëmtojë çfarëdo qëndrimi që SHBA-të dhe BE-ja kanë ende në sytë e atyre serbëve që dëshirojnë që vendi i tyre të jetë i lirë dhe demokratik. Ata do të kujtojnë se Brukseli dhe Uashingtoni mbështetën ata që kryen mashtrimin zgjedhor, jo ata që tani po protestojnë kundër tij.

Albanian Post: Shpesh krijohet përshtypja se demokracia po këmbehet me një lloj autoritarizmi të butë për hir të stabilitetit. Shumë kanë argumentuar se diplomatët e BE-së po ndjekin një politikë të butë ndaj Serbisë kundër fqinjëve më të vegjël. A kanë të drejtë kritikët?

Toby Vogel: Unë do të pajtohesha 100 për qind me këtë karakterizim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore