Lajme

Intervistë me profesorin amerikan Henry H. Perritt: Kurti si kryeministër është shërbëtor i popullit, jo i ndërkombëtarëve


Henry H. Perritt, autor, profesor ne “Chicago-Kent College”

Këtë të diel në Serbi ka zgjedhje. Ndryshe nga herët e kaluara ato nuk po mbahen edhe në territorin e Kosovës. Qeveria s’lejoi – as pas negocimit me ndërkombëtarët – që t’i administrojë OSBE-ja, siç ndodhte në të kaluarën.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia, të njohura ndryshe edhe si shtetet e QUINT-it, e kanë qortuar Kosovën për mosbashkëpunim, por sipas profesorit të njohur amerikan në universitetin e famshëm të drejtësisë “Chicago-Kent College”, Henry H. Perritt, kryeministri Albin Kurti dhe Qeveria e Kosovës bën mirë që nuk pranuan të mbaheshin këto zgjedhje brenda kushteve në të cilat kërkohej mbajtja e tyre.

“Kosova duhet të lejojë qytetarët me shtetësi tjetër të votojnë në territorin e saj, por nuk duhet që të lejojë shtetet tjetra të vendosin makineri zgjedhore brenda vendit”, thotë Perritt në këtë intervistë me shkrim për Albanian Post.

Perritt e njeh shumë mirë Kosovën. Në vitin 2010 kishte shkruar librin “Rruga drejt pavarësisë për Kosovën: Një kronikë e Planit të Ahtisaarit”, për të cilin kishte realizuar intervista me të gjithë akterët e përfshirë, vendorë dhe ndërkombëtarë.

Për profesorin amerikan dhe ish-kandidatin e Demokratëve për Dhomën e Përfaqësuesve në Kongresin e SHBA-ve, Kurti veproi mençur në refuzimin e tij për zgjedhjet serbe.

“Ai (si kryeministër) është shërbëtor i popullit, jo i Komunitetit Ndërkombëtar”, thotë Perritt.

“Në diplomaci me Serbinë po sillet arsyeshëm. Edhe pse unë do të doja që më shumë të kishte fokusin në ndërtimin e ekonomisë, sesa në konfliktin e së kaluarës”.

Henry H. Perritt, gjatë fushatës si kandidat i Demokratëve për Dhomën e Përfaqësuesve në Kongresin e SHBA-ve

Perritt, që dikur kishte shërbyer në Ministrinë e Punës në kabinetin e Presidentit Amerikan, Gerald Ford, dhe më pas edhe për presidentin Bill Cliton si pjesë e ekipit të transicionit, thotë se përtej faktit që komuniteti ndërkombëtar është fort i nevojshëm për një shtet si Kosova, interferimi në politikën e brendshme mund të shndërrohet në problem.

“Problem i madh për Kosovën, në rrugën përpara, mund të jetë ndërhyrja e vazhdueshme e komuniteti ndërkombëtar në politikën e brendshme. Diplomacia ndërkombëtare është e domosdoshme, por tash që Kosova është e pavarur duhet të lejohet të qeverisë vetë”.

Përkundër kësaj, nevojitet të jetë e qartë, pohon Perritt se “anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare varet nga ndërkombëtarët dhe politikat ndërkombëtare”.

Prandaj, “Kosova duhet të vazhdojë që në diplomaci të punojë me miqtë ndërkombëtarë që të fitojë njohje më të gjerë”.

Libri për rrugën drejt pavarësisë nuk është i vetmi që Perritt e ka shkruar për Kosovën.

Pikërisht në vitin kur Kosova u shpall shtet, profesori i drejtësisë kishte botuar një libër për Ushtrinë Çlirimtare.

“Kosova: Ushtria Çlirimtare e Kosovës – Historia e brendshme e një kryengritje”, ishte botuar në vitin 2008, ku Perritt me tregime të akterëve të luftës si Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj, kishte shpjeguar përse guerilja shqiptare pati sukses.

Duke njohur mirë historinë e luftës, Perritt pohon se ngritja e aktakuzave për Thaçin dhe të tjerët nga Gjykata Speciale “është një fatkeqësi e madhe”.

Përveç se e padrejtë, ai deklaron se kjo situatë “e shpërqendron Kosovën dhe popullin e Kosovës nga punë të tjera që duhet bërë siç janë ndërtimi i mirëfilltë i institucioneve dhe ekonomisë së qëndrueshme”.

“Aktakuzat janë të bazuara në interpretime të tepruara të ligjit penal ndërkombëtar”, shpjegon Perritt për AP.

Dy librat per Kosoven nga Henry H. Perritt

Për këtë gjykim të padrejtë ka folur për Albanian Post, edhe ekspertja e Ballkanit, ligjëruesja në Universitetin e Amsterdamit, Nevenka Tromp.

“Çfarëdo dënimi nga kjo gjykatë ka potencialin të kriminalizojë luftën çlirimtare të Kosovës të luftuar nga 1998-1999”, deklaroi ajo në një intervistë të gjatë me gazetarin e AP-së, Xhezair Dashi.

Madje, ajo sugjeronte që “Kurti dhe qeveria e tij nuk munden dhe nuk duhet të distancojnë veten nga të akuzuarit që janë akuzuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës”.

“Kurti si politikan mund ta sheh si mënyrë e lehtë për të hequr qafesh opozitën e fortë politike. Por, Kurti si burrështetas do të duhej të bënte ç’të mundte të sigurojë mbështetjen dhe infrastrukturën për mbrojtjen e tyre”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore