Shqipëria

Interpelancë me Manastirliun për qendrat sociale: Kemi shumë për të bërë, kontribut edhe nga pushteti lokal


Në seancën plenare të 14 prillit në Kuvendin e Shqipërisë u zhvillua një interpelancë mes deputetit demokrat Zef Hila dhe Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Mananastriliu, për sa i takon shërbimeve sociale në Barbullush në Vaun e Dejës.

Hila në fjalën e tij u shpreh se këta institucione nuk i janë përgjigjur kërkesave të qytetarëve. Ndërsa sipas tij qendra sociale “Besa” atje është e vetmja qendër  me standarde të duhura dhe se nuk ka marrë vëmendjen e duhur, pasi fondet janë përdorur për punësime dhe jo për shërbime .

“Shpreh vlerësimin për punën e bërë për ngritjen e qendrës që ofron shërbim në komunitetin e zonës që i shërben jo vetëm Vaut Dejës.  Qendra sociale “Besa” është me standarde të larta”, tha Hila.

Sipas Hiles, në qendrën sociale janë punësuar 19 punonjës për 22 persona që duhet të marrin shërbim.

Ai theksoi se ofrimi i shërbimit nuk është në nivelin e kërkuar dhe i kërkoi Ministres ngritjen e grupeve të kontrollit për aktivitetin e kësaj qendre.

Në fjalën e saj nga foltorja e Kuvendit Manastirliu falënderoi Hilën për ngritjen e këtij problemi duke theksuar se Ministria që prej tre vitesh ka ngritur shërbime sociale në 32 bashki të vendit, duke mbështetur më shumë se 4 mijë e 180 individë – të cilët janë individë në nevojë.

“Çdo iniciativë që i shërben sistemit të mbrojtjes sociale në vendin tonë është e mirëpritur dhe është përgjegjësi e të gjithë. Ne jemi të vetëdijshme sepse ende kemi shumë për të bërë dhe për këtë duhet kontributi i të gjithëve. Përmend këtu pushtetin lokal, mbështetjen e qeverisë, por edhe bashkëpunimi me të gjithë aktorët, donatorët dhe partnerët”, vijoi ajo në fjalën e saj.

Manastirliu duke ju përgjigjur Hilës për kontrollin e kësaj qendre, jo theksoi se, “janë kryer vizita periodike për të gjitha aspektet e vlerësimit dhe monitorimit. Janë lënë dhe rekomandime të tjera për përmirësim”.

“Forma e financimit është një financim miks, një pjesë e mbulon Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Do të rrisim dhe zgjerojmë përkujdesin tonë për ato që kanë më shumë nevojë”, shtoi Ministrja.

Hila nga ana tjetër iu kundërpërgjigj Ministres duke u shprehur se me fonde që janë të deleguar nga Ministria 100% në buxhetin e kësaj qendre, “paguani katër roje, tre sanitare dhe asnjë specialist i kësaj fushe”.

“Paguhet kuzhinier që shërbimi i gatimit behet me katering. Tërhiqni fjalën tuaj, pasi kjo është e vërteta me dokumente zyrtare. Fondet e akoduara për qendrën sociale ‘Besa’ janë vetëm për stafin drejtues. Inspektimi që thoni ju ka qenë formal, por e vërteta është krejtësisht ndryshe”, vijoi Hila.

Sakaq për interpelancë nga Hila është thirrur dhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore