Shqipëria

“Institucioni i Prefektit ka dështuar në territor, nevojitet reformë tërësore”


Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku u shpreh sot në Kuvend se “institucioni i Prefektit ka dështuar në territor dhe nuk mund të riparohet një ligj i dështuar”.

Gjatë diskutimit në seancë plenare të shtesave dhe ndryshimeve në ligjin “Për prefektin”, Tabaku u shpreh se nevojitet një reformë tërësore dhe jo rregullime ligjore kozmetike.

“Ky është një ligj rutinë që nuk ndryshon situatën. Sot ky parlament duhet të fliste për një reformë territoriale. Zbatimi i reformës së decentralizimit u faktua totalisht i gabuar. Janë  një sërë shërbimesh sot që nuk ofrohen nga pushteti lokal. Prefekti sot nuk ka asnjë përgjegjësi”, tha ajo.

Sipas Tabakut “sot ne kemi 12 qarqe me 12 prefektë por të ndarë në 3 rajone që i kanë hequr aksesin qytetarëve për të marrë shërbime. Prefekti sot nuk luan asnjë rol koordinues për investimet strategjike apo të jetë ndonjë faktor i rëndësishëm për të aplikuar për fonde të BE-së”, tha Tabaku.

Sipas saj “reforma territoriale e vitit 2014 dhe Prefekti është sot një simbol anadollak pa asnjë funksion në të vërtetë”.

“Ky parlament duhet të merrte për bazë dhe të diskutonte mbi punën e komisionit të reformës territoriale, pasi kozmetikat nuk besoj se na bëjnë punë. Reformat e njëanshme janë të destinuara të dështojnë. Duhet t’i shohim në mënyrë integrale të gjitha nivelet e qeverisjes dhe disa nga shifrat që ka prodhuar reforma territoriale. Kemi rritje të shpenzimeve për bashkitë me 36% për paga. Bashkitë janë kthyer në paguese rrogash dhe japin leje ndërtimi”, tha ajo.

Ndërkohë Tabaku vlerësoi se projektligji i propozuar sot përfshin cenimin e autonomisë lokale por edhe shkeljen e disa autonomive që janë decentralizuar vite më parë.

“Një reformë e plotë, tërësore, duhet të kishte qenë rruga e duhur për ta hequr pushtetin vendor nga duart e politikës, thjesht si një punësues njerëzish për fushata elektorale”, tha ajo.

Këtë të enjte, Taulant Balla, ministër i Brendshëm, ka paraqitur në Kuvend disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për prefektin e qarkut”.

Ai ka kërkuar reflektimin e opozitës që të tejkalojë ndasitë partiake dhe të votojë këto ndryshime që forcojnë rolin e Prefektit në nivel vendor, si përfaqësues i Këshillit të Ministrave në territor.

Balla u shpreh se me këto ndryshime rritet eficienca dhe konsolidohet performanca e institucionit të Prefektit në ofrimin e shërbimeve më cilësore.

“Me këto ndryshime i shkojmë më me intensitet qasjes sonë për një qeverisje më pranë qytetarëve në marrëdhëniet që ka institucioni i Prefektit, i cili qëndron mes qeverisjes qendrore dhe pushtetit vendor. Pas 7 vite e gjysmë nga momenti që është bërë ligji, në vitin 2016, kishim gjithë kohën e nevojshme për të bërë disa rregullime”, ka thënë ai.

Prefekti – sipas tij – duhet të jetë më aktiv dhe me kompetenca më të përmirësuara.

“Prefekti kontrollon aktet dhe vendimet e këshillit bashkiak. Ka një kartë të pavarësisë të vetëqeverisjes së pushtetit vendor dhe ne e respektojmë atë. Kemi hasur një problematikë që lidhej me krijimin e mekanizmave të përkohshëm ku prefekti i qarkut duhet të shërbejë si koordinator i bashkëveprimit të institucioneve të ndryshme qendrore e vendore dhe po ashtu problematikën që lidhet me propozimin për emërim në detyrë të drejtuesve të degëve të këtyre institucioneve”, ka vijuar Balla.

Sipas tij, të gjithë duhet t’i mbështesin ndryshimet në ligj që synojnë të përmirësojnë sa më shumë shërbimet duke i orientuar drejt integritetit dhe përgatitjes së duhur profesionale.

“Duke i dhënë prefektit këtë lloj kompetence verifikimi është një hap i mirë, ndoshta jo i mjaftueshëm në këtë drejtim. Prefekti verifikon ligjshmërinë e akteve me karakter normativ të organeve të qeverisjes vendore”, tha ai.

Balla ka dalluar po ashtu se pranë institucionit të Prefektit, me propozimin e tij do të ngrihen këshillat vendorë të sigurisë publike, ku mund të bëjnë pjesë edhe deputetët sipas zonave.

“Ky është një rekomandim i kahershëm i OSBE-së për disa prej vendeve, jo vetëm Shqipërisë, nisur nga një model tepër i suksesshëm i Holandës. Na duhet një koalicion vendor ku në bazë të ligjit për statusin e deputetit secili prej nesh ka të drejtë të marrë pjesë edhe në këshillin vendor të sigurisë publike”.

Balla: Ndryshimet në ligj forcojnë rolin e Prefektit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore