Kosova

Institucionet e Serbisë dyshohet se vendosen kamera vëzhguese të kamufluara në Veri – identifikohen nga policia


Foto nga Policia e Kosovës.

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Agjencinë e Inteligjencës, kanë identifikuar në dy lokacione në Veri kamera vëzhguese të kamufluara për monitorim të lëvizjeve të qytetarëve – të cilat dyshohet se janë përdorur në vazhdimësi nga institucionet e sigurisë së Serbisë.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani.

“Këto kamera dyshohet se janë përdorur në vazhdimësi nga institucionet e sigurisë së Serbisë. Lidhur me këtë rast janë të identifikuar dy persona të cilët janë me interes që të intervistohen nga ana jonë”, ka thënë Elshani për AP.

Kamera ilegale ishin konfiskuar edhe në të kaluarën nga Policia e Kosovës.

Kamerat ishin identifikuar në katër komunat veriore të Kosovës e edhe në Shtërpcë, ato kanë qenë të vendosura në shtylla të ndryshme.

Vendosja e tyre akoma nuk dihet për çfarë qëllime bëhet, e as nuk dihet nga kush vendoseshin, por përgjegjës për hetimet në këto raste është Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP).

Në Kosovë, vendosja e sistemit të vëzhgimit me kamerë duhet të bëhet sipas kritereve ligjore të cilat janë përcaktuar në ligj.

Që do të thotë që çdo përpunim i të dhënave, në këtë rast çdo regjistrim, në kundërshtim me kriteret ligjore konsiderohet shkelje e dispozitave ligjore.

Sipas AIP-së, hapësirat publike mund të vëzhgohen vetëm për nevoja të policisë.

Edhe në vitin 2021, ishte raportuar se Serbia, përmes institucioneve të cilat i ka në Kosovë, ka blerë sistemin e video-mbikëqyrjes të kompanisë kineze që është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), të dedikuar për shkollat në 12 komuna të Kosovës.

Kush po vëzhgon me kamera ilegale në Kosovë? Janë identifikuar në disa komuna

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore