Shqipëria

Institucionet e reja të drejtësisë të marrin me guxim mosndëshkimin, thotë ambasada e SHBA-ve


Ambasada Amerikane ka shprehur mbështetjen e SHBA-ve për Reformën në Drejtësi.

Një mesazh ky, që vjen pas vizitës së Sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken në Tiranë.

“Sekretari Blinken ritheksoi angazhimin e qëndrueshëm të SHBA-ve për Reformën në Drejtësi në Shqipëri gjatë një takimi me krerët e drejtësisë sot”, ka thënë ambasada.

Referuar mesazhit të ambasadës, paçka se reforma nuk është as e shpejtë as e përsosur as e lehtë, ky është momenti që institucionet e reja të drejtësisë të marrin me guxim mosndëshkimin dhe të nxisin besimin e publikut në sundimin e ligjit.

“Edhe pse reforma nuk është as e shpejtë, as e përsosur, as e lehtë, ky është momenti që institucionet e reja të drejtësisë të marrin me guxim mosndëshkimin dhe të nxisin besimin e publikut në sundimin e ligjit. Këto sfida janë të mëdha, por SHBA-të qëndrojnë fort pas këtyre institucioneve dhe do të mbeten të palëkundura në mbështetjen tonë”, vijon mesazhi.

“Reforma në drejtësi është thelbësore për Shqipërinë dhe përpjekjet e saj për integrim në BE”.

Kështu shkruan në një postim në platformën X, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken gjatë vizitës së tij të parë në Shqipëri, ku është takuar edhe me personalitete të institucioneve të drejtësisë, si kreun e SPAK, Altin Dumani, dhe drejtues të tjerë.

“U takova me drejtuesit e reformës në drejtësi në Tiranë për të përgëzuar progresin e tyre në avancimin e shtetit të së drejtës dhe luftimin e korrupsionit”, vazhdon ai më tej.

Një ditë më parë në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama, Blinken pranoi se Reforma në Drejtësi në Shqipëri nuk ka qenë e thjeshtë dhe e shpejtë.

Ama sipas tij, SHBA-të kanë nisur të shohin rezultate të vlefshme.

“Është e rëndësishme të kuptojmë që anëtarë të krimit të organizuar janë duke përfunduar në procese gjyqësore. Ne do të vijojmë ta mbështesim Shqipërinë”.

Ne do vazhdojmë ta mbështesim Shqipërinë në anëtarësimin në BE”.

Kështu diplomati amerikan solli në vëmendje se dy vendet kanë nënshkruar memorandume mirëkuptimi dhe se SHBA-të do të ndihmojnë për të mos pasur shtrembërime informacionesh.

Kjo pasi siç pranoi Blinken: ka një luftë informatike nga mëngjesi në mbrëmje, prandaj duhet një mënyrë efektive për ta shmangur këtë gjë.

Më tej, ai solli në vëmendje se janë trefishuar investimet amerikane në Shqipëri dhe ka potencial për të ndihmuar planetin tonë të përbashkët dhe ekonominë tonë.

“Sa i takon lidhjeve tregtare mes vendeve, ne sapo jemi kthyer nga disa takime me të rinj të programeve tonë të shkëmbimit që i bëjnë lidhjet tona akoma më të forta”.

“Ju jeni me ne dhe ne jemi me ju! Kjo ka qenë e vërtetë tri dekada më parë, mbetet e njëjtë sot dhe njëjtë nesër”.

Antony Blinken, e përfundoi pasditen e 15 shkurtit vizitën e tij të parë në Shqipëri.

Ai e përmbylli me një konferencë për mediat të përbashkët me kryeministrin e vendit, Edi Rama.

Në fjalën e tij Blinken përcolli disa mesazhe për Shqipërinë, rajonin, por edhe stabilitetin botëror, duke marrë parasysh situatën ku ndodhemi.

Me bindje të plotë, sekretari amerikan i Shtetit deklaroi se Shqipëria është një partner i jashtëzakonshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Për të ky partneritet është madje më i fortë se çka qenë më parë.

Blinken në fjalën e tij gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin e vendit, Edi Rama, u shpreh se marrëdhënia mes dy vendeve është kritike për disa çështje që prekin rrugën e dy popujve.

Më tej në fjalën e tij, Blinken njoftoi se ka folur me Ramën për çështje të sigurisë si Ukraina dhe për Këshillin e Sigurimit.

“Kemi folur edhe për shumë çështje dhe sfida me të cilat përballemi dhe jemi përqendruar në atë që jemi duke bërë për të nxitur përpara sigurinë”.

Ai vuri në dukje se Shqipëria ka qenë mbështetëse e fortë e Ukrainës, ka qenë vendi i parë që ka dërguar ndihma ushtarake, armë municione. Aktualisht është një nga 10 kontribuueset kryesore për të ardhura për frymë për Ukrainën”.

Nga konferenca – ashtu siç Albanian Post raportoi – zyrtari i lartë amerikan njoftoi se se muajin e ardhshëm do të inaugurohet baza e NATO-s në Kuçovë dhe “një miratim” për atë në port.

Kështu Blinken ravijëzoi se secili ka një angazhim të hekurt që të ndihmojë njëri-tjetrin.

“Jemi falënderues që Shqipëria po bën pjesën e saj dhe është e angazhuar me detyrimet e saj. Ka mirëpritur me mijëra të evakuuar afganë dhe sot pata kënaqësinë të takoja disa prej tyre, ata do vijnë në SHBA për të vazhduar kapitullin e ardhshëm”.

Ai tha se pa jo vetëm mirënjohje, por edhe mënyra si janë mirëpritur nga populli shqiptar dhe është e vështirë ta përshkruash sa vlen kjo gjë për miqtë afganë.

“Ne jemi vërtet të frymëzuar nga mënyra si e keni bërë këtë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore