Shqipëria

INSTAT: Ulet me 10% lindshmëria në Shqipëri


Numri i lindshmërisë për tremujorin e dytë të vitit 2021, në krahasim me të njëjtën periudhë në raport me vdekshmërinë, është ulur.

Këto janë të dhënat negative që zbulon publikimi i fundit demografik i Institutit të Statistikave në Shqipëri (INSTAT).

Sipas të dhënave të treguesve demografikë, trendi i lindjeve pësoi një rënie prej 10.6%, krahasuar kjo me tremujorin e dytë të vitit 2020.

Gjatë këtij tremujori janë regjistruar pothuaj 6 mijë lindje (5 mijë e 993 të tilla).

Vetëm dy qarqe kanë shënuar rritje të numrit të lindshmërisë. Për dhjetë qarqet e tjera, ky numër është ulur në krahasim me një vit më parë.

Tirana udhëheq për numër lindjesh, me pothuaj 2 mijë të tilla (1 mijë e 999 lindje), ndërsa treguesit demografikë janë përkeqësuar ndjeshëm në Gjirokastër, e cila regjistroi vetëm 92 lindje.

Rritjen më të madhe në përqindje të lindjeve, gjatë tremujorit të dytë 2021, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020 e zë Qarku i Kukësit, me 11.5%.

Uljen më të madhe në përqindje të lindjeve e mban Qarku i Gjirokastrës, me 31.3%.

Vdekshmëria

Numri i vdekjeve është rritur me 7.3%, duke regjistruar 5 mijë e 777 fatalitete për tremujorin e dytë të këtij viti.

Shtesa natyrore e popullsisë (diferenca midis lindjeve dhe vdekjeve) në tremujorin e dytë 2021, pësoi rënie, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020; nga 1 mijë e 320 në 216.

Në pesë qarqe të vendit u shënua shtesë natyrore pozitive e popullsisë, ndërsa në shtatë qarqet e tjera, shtesa natyrore e popullsisë është negative.

Vlera më e lartë e shtesës natyrore është regjistruar në Qarkun e Tiranës, ku numri i lindjeve tejkalon me 590 numrin e vdekjeve.

Në tremujorin e dytë 2021, tre qarqe të vendit kanë shënuar ulje, ndërsa nëntë qarqet e tjera kanë shënuar rritje të numrit të vdekjeve, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020.

Numri më i vogël i vdekjeve u regjistrua në Qarkun e Kukësit, me 125 fatalitete, ndërsa ai më i madh në Qarkun e Tiranës, me 1 mijë 409 fatalitete.

Uljen më të madhe në përqindje të vdekjeve, gjatë tremujorit të dytë 2021, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020 e zë Qarku i Lezhës, me 14.8 %.

Rritjen më të madhe në përqindje të vdekjeve, gjatë tremujorit të dytë 2021, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020 e zë Qarku i Beratit, me 18,4 %.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore