Shqipëria

Incidenti në malin e Munellës, gjendet i pajetë një prej alpinistëve


Në një tragjedi të vërtetë është kthyer një incident në malin e Munellën në zonën e Pukës, ku një alpinist, pasi ka rënë në një humnerë gjatë eksplorimit të zonës, ka gjetur vdekjen.

Një person tjetër sakaq, i cili e shoqëronte atë, ka arritur të shpërojë dhe është transportuar drejt spitalit ku po merr përkujdesje shëndetësore.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, shtetasi N.M., pas disa orë kërkimesh, është gjetur i pajetë. Ndërsa, organet përkatëse, po punojnë për nxjerrjen e trupit të tij nga terreni tejet i vështirë.

Të përfshirë në këtë aksident, kanë qenë edhe persona të tjerë, ku një prej tyre është gazetari i njohur Alfred Lela.

Ai ka shpjeguar ngjarjen, duke ilustruar se alpinistët fillimisht kanë arritur të shkojnë deri në majën e malit. Më pas, një stuhi i ka kapur ata dhe e ka bërë terrenin e kthimit tejet të vështirë.

Gjurmët gjatë ngjitjes ishin fshirë dhe stuhia i ka kapur edhe në zbritje.

I pari që ka rrëshkitur, ka qenë pikërisht gazetari Lela. Fatmirësisht, ai ka arritur të kapet pas një trrungu gjatë rënies, gjë që i ka shpëtuar edhe jetën, ku ka marrë vetëm dëmtime të lehta.

Dy alpinistë të tjerë po ashtu kanë marrë dëmtime të lehta. Ndërsa, njëri prej tyre, është në gjendje më të rënduar.

Fatkeqësisht, fataliteti nuk u evitua dot një natë përpara ndërrimit të viteve, me një shtetas të humbur në lartësitë e majës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore