Lajme

Incidentet me bazë urrejtjen ndaj hebrenjve, rekord në Mbretërinë e Bashkuar


Në Mbretërinë e Bashkuar, incidentet të lidhura me urrejtjen anti-hebreje kanë arritur rekord të lartë.

Raportimet mbi antisemitizmin me bazë personale dhe në internet janë ngritur mbi kulmin e mëparshëm të vitit 2019, pasi shpërtheu konflikti midis Izraelit dhe palestinezëve majin e kaluar.

Një organizatë që monitoron antisemitizmin, Mbrojtësi i Sigurisë së Komunitetit (CST), ka regjistruar 2 mijë e 255 incidente vitin e kaluar.

Në to përfshihej një rritje e numrit të njerëzve që ngacmoheshin nga makinat që kalonin, si dhe 173 sulme të dhunshme.

Ky konsiderohet të jetë raporti më i lartë vjetor i urrejtjes antisemitike që ka regjistruar ndonjëherë organizata dhe është një rritje prej 34 për qind nga 1 mijë e 684 incidente të regjistruara në vitin 2020.

Rritja më e madhe ka përkuar me konfliktin e përgjakshëm në Lindjen e Mesme në maj. Incidentet që përfshijnë shkollat, nxënësit dhe mësuesit kanë arritur një nivel të ri, më shumë se trefishi i numrit të vitit 2020.

Gjithashtu ka pasur rritje të ngjashme të incidenteve mes studentëve dhe akademikëve, me vëllimin më të lartë të urrejtjes lidhur me universitetin.

Mbi një e treta e të gjitha incidenteve kanë përfshirë gjuhë, imazhe ose sjellje që i referohen konfliktit në Lindjen e Mesme.

Sekretarja e Brendshme, Priti Patel, i ka cilësuar shifrat si “tronditëse”, ndërsa sekretarja e brendshme në hije, Yvette Cooper, ka thënë se rekordi i ri ishte “me të vërtetë i tmerrshëm”.

Kurse John Mann, këshilltari i pavarur i qeverisë për antisemitizmin, ka thënë se ishte koha që të “rishqyrtojmë përpjekjet tona për të trajtuar antisemitizmin”.

“Këto nivele rekord të racizmit të raportuara nga komuniteti ynë hebre, tregojnë se sa i vështirë ishte viti i kaluar për hebrenjtë në të gjithë Britaninë”, ka dalluar Mark Gardner, shefi ekzekutiv i CST-së.

Nga ana tjetër, shifrat e episodeve të urrejtjes në internet kanë pasur rënie. Mbase për shkak të rënies së numrit të incidenteve që lidhen me Partinë Laburiste.

Sipas CST-së, më parë janë regjistruar rritje të shiritave në internet nga njerëz që mendonin se akuzat për antisemitizëm ishin prodhuar nga komuniteti më i gjerë hebre për të njollosur ish-udhëheqësin laburist Jeremy Corbyn.

Ka pasur gjithashtu prova të antisemitizmit të lidhura me COVID-in me fletëpalosje të shpërndara nëpër shtëpi në South Yorkshire, të cilat kanë pasur në përmbajtje sharje.

Në total janë numëruar 78 incidente të lidhura me pandeminë nga teoritë e konspiracionit për përfshirjen e hebrenjve në krijimin dhe përhapjen e COVID-19, te dëshira që hebrenjtë të infektoheshin nga virusi dhe të ndërronin jetë prej tij.

Lidhur me konfliktin në Lindjen e Mesme që përkoi me lehtësimin e kufizimeve të COVID-19 në Mbretërinë e Bashkuar, CST ka nxjerrë se mund të ketë nxitur rritjen e incidenteve.

Në muajin maj, bizneset u lejuan të rihapen. Shumica e kontrolleve ligjore për shoqërimin në natyrë u hoqën dhe dy familje mund të takoheshin në ambiente të mbyllura.

“Është e mundur që zbutja e rregulloreve, që përkon me një ngjarje nxitëse aq emocionuese sa lufta e ripërtërirë midis Izraelit dhe Hamasit, ofroi shtysën për një çlirim masiv të frustrimeve të shkaktuara nga bllokimi”, ka nxjerrë raporti.

Dhe se “këta faktorë mund të kenë luajtur një rol në shkallën e rritjes së raportimeve të incidenteve antisemitike gjatë dhe pas kësaj periudhe”.

Sipas Patel, komuniteti hebre ka qenë “subjekt i urrejtjes së tmerrshme. Përveç mbështetjes së punës së CST-së, vazhdoj të mbështes policinë për t’u siguruar që ka burimet për të trajtuar këto incidente të neveritshme, në mënyrë që autorët të mund të ndëshkohen plotësisht”.

Marrë nga gazeta “The Guardian”, përshtatur për Albanian Post!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore