Lajme

Impulsi i spiunazhit rus në Ballkan


Të martën e 29 qershorit në mediat shqiptare doli njoftimi që dy shtetas rusë, Georg Budanov dhe Vladislav Cherkasov, janë nën hetim për dyshime të lidhura me spiunazhin rus.

Ata vazhdojnë të hetohen nga Prokuroria e Tiranës.

Budanov hyri në Shqipëri më 1 mars, si një biznesmen që kish shprehur interes për investimet në Vlorë.

Mirëpo, Bodanov-i, qëndroi në Orikum gjatë kohës që po zhvillohej Stërvitja “Defender Europe 21”. Kjo e fundit, një bashkërendim i forcave ushtarake amerikane dhe atyre shqiptare.

Më datën 10 maj, rusi u dëbua me argumentimin se nuk i përmbushte kushtet e qëndrimit në Shqipëri.

Cherkasov-i ndërkaq, shkeli në Shqipëri në datën 12 maj, përmes pikës së kalimit në Muriqan. Ky i fundit zotëronte një dron, të cilin nuk ia lanë që ta merrte me vete në Shqipëri.

Tre ditët e tij të qëndrimit, u mbajtën nën vëzhgim. Çdo lëvizje dhe takim i tiji, janë referuar në prokurori.

Vëzhgimet janë kryer nga antiterrori, ndërsa ai ishte akomoduar në një hotel lukzos në Tiranë, me një mjet të rremë identifikimi.

Më pas, rusi u zhvendos drejt Durrësit ku qëndroi tre ditë. Ajo që pasoi, ishte largimi i tij nga Shqipëria.

Referimi bullgar

Në mars të vitit 2021 pas bastisjeve të policisë, autoritetet bullgare arrestuan gjashtë persona.

Prokurorët bullgarë deklaruan asokohe se këta njerëz ishin arrestuar nën dyshimin e spiunimit për Rusinë.

Mes tyre disa zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes në Bashkimin Evropian.

Prokuroria tha se gjashtë persona ishin ndaluar, përfshirë tre nga Ministria e Mbrojtjes.

Prokurori i Përgjithshëm, Ivan Geshev, e quajti operacionin “të pashembullt”.

Ai tha se të dyshuarit ishin pjesë e grupit më të madh që kryente spiunazh rus, të kryesuar nga një agjent i referuar si “Banori” dhe gruaja e tij.

Vitet e fundit ka pasur disa polemika mbi veprimtarinë e pohuar të spiunimit rus në Bullgari.

Në çështjen e fundit, më 24 shtator 2020, dy diplomatë rusë të dyshuar për spiunazh ndaj ushtrisë së Bullgarisë u emëruan persona non grata.

Në janar tё vitit 2020, dy diplomatë rusë u dëbuan, megjithëse Anatoliy Markov, ambasadori i atëhershëm i Rusisë, u ankua se nuk ishte informuar zyrtarisht për akuzat.

Më parë, në shtator 2019, Nikolay Malinov, udhëheqësi i një Organizate Joqeveritare pro-ruse, Lëvizja Kombëtare Rusofile, u akuzua për spiunazh.

Në të njëjtën kohë, një ish-oficer i lartë rus i inteligjencës, Leonid Reshetnikov, u ndalua të hynte në Bullgari.

Një rast tjetër i mëparshëm i lidhur me Rusinë ishte helmimi i tregtarit të armëve të zjarrit Emilian Gebrev, gjoja me një agjent Novichok në prill tё vitit 2015, megjithëse kjo nuk u konfirmua kurrë. Çështja mbetet ende e pazgjidhur.

Tre shtetas rusë, që kishin hyrë në Bullgari me emra të rremë dhe dokumente të falsifikuara, u dyshuan në këtë çështje, por në shtator tё vitit 2020, Gebrev pretendoi se sondat e tij ishin zhdukur nga një laborator për verifikimin dhe analizën e armëve kimike në Finlandë. Prokuroria pastaj u distancua nga çështja.

Ballkani në ‘hijen’ ruse

Në tetor të vitit 2016, autoritetet malazeze zbuluan një komplot të kurdisur nga ultranacionalistët serbë dhe oficerë komplotues të sigurisë për të përmbysur qeverinë malazeze.

Sipas prokurorëve, ata vepruan në bashkëpunim me dy agjentë të Drejtorisë Kryesore të Inteligjencës Ruse (GRU), Eduard Shirokov dhe Vladimir Popov. Të dy u dënuan në mungesë në maj 2019.

‘Bellingcat’ dhe ‘The Insider’ vërtetuan se “Popov” (emri i vërtetë Vladimir Moiseev) vizitonte shpesh Bullgarinë në 2014, ndoshta duke u përgatitur për sulmin kundër Emilian Gebrev.

Agjentët rusë gjithashtu u përpoqën të ndërhynin në përpjekjet e Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut për të zgjidhur mosmarrëveshjen e tyre të gjatë për emrin.

Në korrik 2018, disa javë pasi u nënshkrua “Marrëveshja historike e Prespës” për zgjidhjen e çështjes, Athina dëboi dy diplomatë rusë për nxitje të kundërshtimit ndaj marrëveshjes në rajonet veriore.

Masa erdhi pavarësisht nga fakti se ish-kryeministri grek, Alexis Tsipras kishte refuzuar të bënte të njëjtën gjë edhe në çështjen Skripal.

Në të njëjtën kohë kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, drejtoi gishtin drejt një biznesmeni greko-rus për pagimin e nacionalistëve sllavë maqedonas për të sulmuar marrëveshjen e Prespës.

Spiunët rusë kanë nxitur telashe edhe në Serbi, një partner i ngushtë i Moskës. Në nëntor të 2019, Presidenti Aleksander Vuçiç akuzoi një ish-ndihmës atashe ushtarak në ambasadën Ruse për ryshfet ndaj një oficeri në pension për të marrë informacion konfidencial.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore