Lajme

IEA, thirrje Rusisë të rrisë furnizimin me gaz në Evropë


Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) i ka bërë thirrje Rusisë të dërgojë më shumë gaz në Evropë, për të ndihmuar në zbutjen e krizës energjetike.

Kjo e ka kthyer agjencinë në organin e parë të madh ndërkombëtar që adreson pretendimet e tregtarëve dhe zyrtarëve të huaj lidhur me kufizimet e furnizimeve nga Moska.

E përditshmja “Financial Times” tregon se grupi me bazë në Paris ka njoftuar se, teksa Rusia po përmbushte kontrata afatgjata për klientët evropianë, ajo po furnizonte më pak gaz në Evropë sesa para pandemisë.

“IEA beson se Rusia mund të bëjë më shumë për të rritur disponueshmërinë e gazit në Evropë dhe të sigurojë që depozita të mbushet në nivele të përshtatshme në përgatitje për sezonin e ardhshëm të ngrohjes në dimër”, ka pohuar IEA.

Agjencia ka shtuar se “kjo është gjithashtu një mundësi për Rusinë që të ravijëzojë kredencialet e saj si një furnizues i besueshëm në tregun evropian”.

Ndërkohë, disa anëtarë evropianë të parlamentit kanë bërë thirrje për një hetim mbi Gazprom, eksportuesi monopol i gazit të Rusisë.

Zyrtarët dhe tregtarët e huaj kanë ngritur shqetësimet se pse kompania ka kufizuar shitjet në tregun vendor në Evropë, duke thënë se kjo ka nxitur një rritje të çmimeve që po rrit faturat e familjeve dhe kërcënon industritë në të gjithë kontinentin.

Kompania, gjithashtu, ka shqetësuar tregtarët e energjisë, duke i mbajtur pajisjet e magazinimit nëntokësor që kontrollon në Evropë në nivele të ulëta krahasuar me vitet e mëparshme.

Javën e kaluar, shefi ekzekutiv i Gazprom, Alexei Miller, ka thënë se kompania po përmbushte detyrimet e saj të furnizimit dhe ishte e gatshme të rrisë prodhimin nëse ishte e nevojshme.

Mirëpo, ka paralajmëruar se çmimet mund të rriten më tej në dimër, për shkak të mungesave në objektet nëntokësore.

Të hënën e 20 shtatorit, çmimet e gazit u rritën sërish, pasi Gazprom nuk pranoi të rezervonte kapacitet shtesë për eksport përmes Ukrainës për muajin tetor dhe rezervoi vetëm një të tretën e hapësirës në dispozicion në tubacionin e gazit Yamal përmes Polonisë.

Gjithashtu Rusia dëshiron të marrë miratimin për të filluar tubacionin Nord Stream 2 në Gjermani.

Një projekt ky i përfunduar së fundmi, që është i diskutueshëm, sepse do të ridrejtojë një pjesë të gazit që rrjedh përmes Ukrainës, ku Rusia ka zhvilluar një luftë përfaqësuese në rajonet kufitare lindore që nga viti 2014.

Mandej, zyrtarët e Gazprom dhe Kremlin kanë thënë se Rusia mund të rrisë shitjet e gazit sapo Gjermania dhe BE-ja të miratojnë fillimin e tubacionit, duke shtuar dyshimet se ai ka kufizuar shitjet, në mënyrë që të përpiqet të përshpejtojë vendimin.

IEA, e cila u formua pas embargos arabe të naftës në vitet 1970, nuk ka fajësuar vetëm Rusinë për rritjen e çmimeve.

Agjencia ka thënë se kërkesa e fortë për gaz natyror të lëngshëm në Azi, i cili ka devijuar ngarkesat nga Evropa, kishte shtrënguar furnizimet në nivel global.

Ka shtuar edhe se fajësimi i rritjes së energjisë së rinovueshme për rritjen e çmimit ishte i gabuar.

Këtë verë, shpejtësitë më të ulëta të erës në Evropë janë një faktor që ka rritur kërkesën për gaz.

“Rritjet e fundit në çmimet globale të gazit natyror janë rezultat i faktorëve të shumtë dhe është e pasaktë dhe mashtruese të vendosësh përgjegjësinë në derën e tranzicionit të energjisë së pastër”, është shprehur IEA.

Thierry Bros, një ish-këshilltar i naftës dhe gazit në Ministrinë Franceze të Ekonomisë, ka pohuar se IEA “po nxirrte në pah atë që është diskutuar në industri për një kohë të gjatë, por shumë politikanë në Evropë kanë qenë në mëdyshje për ta adresuar”.

Ai ka vijuar se “në shumë mënyra, IEA po kthehet në atë që ishte krijuar fillimisht për t’u bërë, duke siguruar sigurinë e furnizimit”.

Në Evropë, politikanët kanë ngurruar të fajësojnë Rusinë për rritjen e çmimeve të gazit, të cilat janë trefishuar këtë vit.

Megjithatë, disa anëtarë të parlamentit evropian kanë bërë thirrje për një hetim mbi rolin e Gazprom-it në krizë.

“Financial Times” shkruan se thirrja e IEA-s vjen, teksa presidenti rus, Vladimir Putin, konsideron lejimin e Rosneft, kompanisë shtetërore ruse të naftës, të furnizojë gaz në Evropë përmes tubacionit Nord Stream 2.

Alexander Novak, ministri i Energjisë, e ka rekomanduar lejimin e Rosneft për të eksportuar 10 miliardë metra kub në Evropë në vit përmes objekteve të tranzitit të Gazprom-it.

Edhe pse sasia është e vogël në krahasim me atë që Gazprom ka eksportuar jashtë ish-Bashkimit Sovjetik këtë vit, do të çonte në një fund shumë domethënës për monopolin e Gazprom në eksportet e gazit, të cilat janë më fitimprurëse sesa tregu i brendshëm rus.

Nëpërmjet Nord Stream 2, Kremlini është i prirur të sigurojë kontrata afatgjata të furnizimit me gazsjellës me Evropën, për të cilat ka thënë se do të ndihmojë në uljen e çmimeve të gazit.

Si Rosneft, ashtu edhe Gazprom, kontrollohen nga aleatët e vjetër të Putin-it.

Igor Sechin, shefi ekzekutiv i Rosneft, i cili prej vitesh ka lobuar për qasje në tregun e eksportit të gazit, ka argumentuar se lejimi i tij për të eksportuar gaz përmes Nord Stream 2 do të ndihmojë Rusinë të krijojë më shumë të ardhura nga çmimet rekord të gazit.

Gjithashtu do të ishte në përputhje me rregulloret e BE-së për energjinë që mandatojnë Gazprom të hapë gjysmën e kapacitetit të Nord Stream 2 për palët e treta.

Referuar raportit të Putin-it, Gazprom është kundër lëvizjes, me arsyetimin se çmimet e larta të gazit mund të mos shtrihen në vitin e ardhshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore