Shqipëria

Ibrahimaj: Rritja ekonomike do të jetë më e ulët se 4.2%


“Rritja e inflacionit do të sjellë një kërkesë më të ulët të konsumit. Rritja ekonomike do të jetë më e ulët se 4.2% në këtë vit për shkak të goditjes së çmimeve. Shpenzimet buxhetore janë shkurtuar me 16 miliardë lekë dhe janë ato shpenzime jo prioritare”.

Kështu do të shprehej ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, të premten e 25 marsit në Komisionin e Ekonomisë, ku po shqyrtohet buxheti për të përballuar krizën e rritjes së çmimeve.

Sakaq po shqyrtohet Aktit Normativ Nr. 3, datë 12.3.2022 “Për ndryshime dhe shtesa ne ligjin nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”. Ministrja tha se është parashikuar fondi prej 20 miliardë lekësh që do të përdoret për faturën e rritur të energjisë elektrike, duke e çuar në total buxhetin që do të përdoret për krizën energjetike në 28 miliardë lekë, pasi 8 miliardë lekë ishin parashikuar që në buxhetin fillestar.

Në bazë të këtij rishqyrtimi qeveria parashikon rritjen e të ardhurave tatimore me 10 miliardë lekë për këtë vit. Nga 360,5 miliardë lekë që ishte parashikimi në ligjin e buxhetit tashmë ka shkuar në 370.5 miliardë lekë.

“Burimi kryesor ku mund të merren të ardhurat janë TVSH dhe akciza, duke reflektuar edhe çmimet e rritura që kanë impakt pozitiv në rritjen e  të ardhurave nga këto dy taksa. Të ardhurat nga TVSH-ja parashikohet të rriten me 7 miliardë lekë ndërsa nga akciza me 2 miliardë lekë. Rritje është parashikuar edhe nga të ardhurat e biznesit e konkretisht të tatimit mbi fitimin”, tha ajo në fjalën e saj.

Nga ana tjetër fondi rezervë është ulur nga 2.9 miliardë lekë në 2 milionë e 650 lekë, po ashtu është reduktuar edhe fondi për “Emergjencat civile”, nga 810 milionë lekë që ishte në 600 milionë lekë.

Ndërsa sa i përket Bordit të Transparencës, Ministrja tha se është krijuar me qëllim rritjen e transparencës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore