Lajme

I pajetë në Amazonë, gjendet trupi i gazetarit britanik


Prej 11 ditësh, atë po e kërkonin në pyllin më të madh në botë, të cilin ai e dashuronte më shumë se gjithçka tjetër, së bashku me gjithë gjallesat e biodiversitetit që jetojnë në të.

Ironia e fatit e donte që gazetari britanik, Dom Phillips, ta mbyllte ciklin jetësor pikërisht aty.

Autoritetet braziliane e kanë konfirmuar tashmë se disa mbetje mortore të gjetura përgjatë pyllit të Amazonës i përkasin pikërisht atij, por nga bashkëpunëtori dhe avokati i njohur i çështjeve klimatike, Bruno Pereira, nuk ka ende asnjë shenjë.

Mbetjet e gjetura ishin të “varrosura” në një zonë shumë të pyllëzuar, rreth dy orë larg qytetit më të afërt.

Hetuesit nga ana tjetër, po punojnë për të zbardhur shkakun e vdekjes, duke ekzaminuar mbetjet e gjetura.

Një punë e madhe po kryhet për të gjetur edhe trupin e Pereira, pasi ende nuk dihet se çfarë ka ndodhur me të.

Sipas gjasave dhe hetimeve të para, një grup kriminal mund t’i ketë vrarë dy aktivistët, pasi dy persona u kapën dhe u fajësuan për vrasjen e Phillips dhe Pereira.

Po sipas hetimeve, dy vrasësit kanë vepruar të vetëm dhe jo duke u bazuar në urdhrat e strukturave më të larta.

Gjithsesi, kjo nuk e përjashton faktin se persona të tjerë mund të jenë të përfshirë në krim dhe arrestime të tjera janë të pritshme në çështjen e bujshme që po zhvillohet në Brazil.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore