Libra

Hoxha hipokrit, ndjekësit e vërtetë dhe testi satirik i Valon Sylës


Ilustrim

Poeti antik romak Juvenal para më shumë se dy mijë vjetësh pati bërë një përmbledhje të poemave satirike.

Kjo formë e kritikës shoqërore përmes vargut letrar tash e më shumë se dy mileniume ka parë modele të ndryshme të transformimit, por vazhdimisht ka fituar terren derisa tani përbën një nga llojet më popullore te nxjerrjes së kundërthënieve, artikulimit të paqartësive dhe ekspozimit të keqpërdorimeve.

Dikur më shumë letrare e më pak direkte, sot shumë më direkte e më pak letrare, satira vazhdon ta ketë të njëjtin qëllim. Thënë në fjalët e Will Self, profesor i mendimit modern dhe një nga satiristët më të njohur botëror aktualisht, satira supozohet të ngacmojë ndërgjegjen e popullit dhe ta sfidojë pushtetin.

Marrë si të mirëqenë definicionin e Self-it, gazetari kosovar Valon Syla, me talljen publike që ia bëri një hoxhe nga Prizreni, sfidoi pushtetin e tij, derisa sulmi që iu bë më pas, preku ndërgjegjen e ndjekësve të tij.

Dallimi me Self dhe Sylës është se i pari asnjëherë nuk është sulmuar për satirën e tij, ndërsa i dyti po, dy herë.

Fillimisht u sulmua pasi përmes ekzagjerimit dhe ironisë talli veset e një pjese të komunitetit të diasporës, ndërsa herën e dytë, pasi përmes përqeshjes, ekspozoi hipokrizinë e një hoxhe të pushtetshëm.

Gazetari-satirist Finley Peter Dunne, një nga zërat më autoritativ të fund-viteve të 1800-ta, kur kishte folur për fuqinë e shkrimit dhe kritikës, kishte thënë se për të arritur efekt, një tekst/koment i mirë e rehaton të shqetësuarin dhe e shqetëson atë që është rehat.

Hoxhë Mazllam Mazllami, që në ligjëratat e tij kur flet për homoseksualët i quan “pedera” dhe lavdëron huliganët serbë se si i rrahën ata që dolën në paradën e krenarisë në Beograd, u shqetësua nga një ironizim i Sylës.

Hoxha që thërret në modesti te të tjerët, vetë u dorëzohet dëshirave konsumeriste me vetura që kalojnë shifra 100 mijë euro. Një ditë pas satirizimit të Sylës, ai u rrah nga përcjellësit e hoxhës kapitalist.

Kur e pyeta Abit Hoxhën, ligjërues i medias dhe konfliktit në Universitetin Adger të Norvegjisë, për disa përgjigje rreth kësaj çështje, ai më tha se vetëm një shoqëri jotolerante vjen deri te rezistenca fizike ndaj satirës, e cila pastaj shumë shpesh materializohet edhe në narrativë kërcënuese ndaj gazetarëve dhe satiristëve.

“Liria e shprehjes nuk është liri nëse nuk kemi të drejtë të provokojmë dhe flasim të vërtetën ndaj autoritetit, cilido qoftë ai autoritet. Nuk mund të matet me shprehje simpatie ndaj autoritetit, nuk mund të matet nëse nuk tejkalon testin e tolerancës së shprehjes jo-popullore”, tha Hoxha (si mbiemër, jo si funksion).

Hoxha thotë se çdo qytetar ka të drejtë për të satirizuar personat publikë dhe për të provokuar shoqërinë, sepse rëndom liria e shprehjes matet edhe me humorin thumbues dhe provokues, prandaj njerëzit duhet të adaptohen me këtë dinamikë të re shoqërore.

Madje, sipas Hoxhës, në Kosovë satira as si sasi e as si cilësi nuk është në nivelin e duhur – do duhej të kishte më shumë dhe do duhej të bëhej më mirë.

Në mungesë të kreativitetit, satira bie ndonjëherë edhe në suaza të satirës së vonuar, reaktive dhe të varfër në përmbajtje, nënvizon Hoxha.

“Natyrisht, shumë mund të ofendohen nga satirizimi apo humori. Ata kanë të drejtë të jenë të ofenduar por nuk kanë të drejtë të ndërmarrin drejtësinë në duar të tyre dhe të bëjnë vetëgjyqësi ndaj individëve. Kur dikush satirizon me figura të autoritetit, merret si mjaft tragjike dhe nuk tolerohet”, shtoi ai.

Por, ai pohoi se shoqëria kosovare nuk është ende e hapur ndaj satirës. Sidomos sub-grupet, siç janë ata që pozicionohen më në ekstreme të spektrit ideologjik edhe atij fetar.

Këto lloj grupe, siç e thotë edhe historiani izraelit Yuval Noah Harari, duan ta konservojnë paprekshmërinë e tyre në emër të idesë ose besimit, por është pikërisht satira që i zhvesh ata nga kamuflazhi.

Edhe Hoxha, në një nga komentet për këtë artikull, thotë se satira e provon se liria ka kuptim vetëm kur thyejnë stereotipat, dogmat, besimet e verbra dhe dukuri tjera që pengojnë shoqërinë e hapur.

“Shihni për shembull artikujt e Charlie Hebdo apo komeditë klasike Jeta e Brianit që e portretizon Jezu Krishtin dhe satirizon një religjion të tërë”, tha Hoxha.

Në librin e tij “Post-Truth: The New War on Truth and How to Fight Back“, gazetari britanik Matthew d’Acona, argumentonte se satira është mjet shumë i vlefshëm për t’i mbijetuar kohëve të vështira, për të protestuar kundër njerëzve të pushtetshëm dhe për të zbuluar hipokrizinë.

“Satira është bërë një nga zërat më të fuqishëm në diskursin e post-të vërtetës, sepse ajo mund të dallojë hipokrizinë dhe ta sulmojë atë në mënyrë efektive. (…) Satira është një mjet i rëndësishëm për të demaskuar manipulimin, mashtrimin dhe arrogancën”, shkruante ai.

Përtej demaskimit të manipulimit, sociologu Artan Muhaxhiri, rolin e satirës e sheh edhe si njëfarë ngucje për hapje drejt perspektivave të reja të të menduarit.

“Esencialisht, satira është metodologji kreative për provokim të të menduarit mbi potencialin e krijimit të hapësirave të reja drejt inicimit të ndryshimeve sociokulturore dhe politike”, tha Muhaxhiri shkurt, kur e pyeta se cili është dimensioni më i rëndësishëm i këtij zhanri.

Muhaxhiri thotë atë që më fjalë të tjera e ka thënë dikur edhe dramaturgu dhe aktivist britanik Harold Pinter, fitues i çmimit Nobel për letërsi.

Edhe ai besonte se kritikat kundër grupeve të caktuara, një regjimi, politikani të caktuar apo një kleriku, nuk mjafton të shprehen në rrugë, madje as të fitohen. Pra, shkon përtej.

“Një gjë është ta mposhtësh armikun dhe ta varrosësh. Ama është tjetër gjë ta veshësh atë me kostum palaçoje dhe ta detyrosh të luajë para teje; tjetër soj goditje kjo, më dërrmuese. Ai mbijeton për të qenë dëshmitar i pafuqisë së vet”, thoshte Pinter.

Kurse filozofi gjerman Peter Sleterdijk, e lartësonte aq shumë fuqinë e shpotitjes intelektuale, saqë njëherë pati shkruar se “çdo gjë që nuk mund t’i rezistojë satirës është gënjeshtër”.

Hoxha nga Prizreni dështoi ta kalojë testin e Sleterdijk.

Satira e Valon Sylës ishte testi për të dhe komunitetin që ai orienton.

Hoxha doli i pavërtetë, ndërsa ndjekësit e tij e vërteta e hoxhës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore