Lajme

Hovenier takon Mehaj: SHBA do e bëjë FSK-në të ndërveprueshëm me NATO-n


Jeffrey Hovenier dhe Armend Mehaj

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, të hënën e 24 janarit e ka takuar Ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, ku me ç’rast ka rikonfirmuar përkushtimin e shtetit të tij për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes me Kosovën.

Diplomati amerikan madje ka bërë të ditur se SHBA-të do të ndihmojnë Forcën e Sigurisë së Kosovës me mënyra të ndryshme që të jetë i ndërveprueshëm me NATO-n.

“Me ministrin Armend Mehaj rikonfirmuam përkushtimin tonë për bashkëpunimin SHBA-Kosovë në fushën e mbrojtjes, duke përfshirë bashkë-vendosjet e ardhshme dhe mjete të tjera për të ndihmuar FSK-në që të bëhet një partner edhe më i fortë, shumë-etnik i ndërveprueshëm me NATO-n, duke kontribuar në sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe global”, në rrjetin e tij social, Twitter.

Në anën tjetër ushtaraku Mehaj, në këtë takim e ka quajtur mbështetjen e SHBA-ve në zhvillimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale të FSK-së si jetike.

Gjithashtu, ministri Mehaj e ka njoftuar ambasadorin Hovenier edhe me objektivat kryesore të tij duke shprehur vullnetin për realizimin e tyre në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me SHBA-në dhe vendet tjera partnere.

Ndër të tjera, ministri Mehaj potencoi se, FSK është dhe do të jetë forcë profesionale me vlera dhe standarde të vendeve të NATO-s nën kontrollin civil demokratik dhe gjithnjë në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit pa dallim.

Në fund, të dy ishin të një qëndrimi që të intensifikohet edhe më tej bashkëpunimi bilateral në mes dy vendeve partnere në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes në shërbim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë rajonale dhe më gjerë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore