Lajme

Hovenier: Ne e ndihmojmë Kosovën në rrugën e integrimit, por kjo s’vjen falas


Jeffrey Hovenier

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës e donë Kosovën të avancojë në trajektoren e vetë evropiane dhe Euro-atlantike, por kjo nuk vjen falas”, ka thënë ambasadori amerikan Jeff Hovenier në një takim me gazetarë.

“Kam vërejtur se një numër i njerëzve në Kosovë duken të befasuar që derisa SHBA-të e kanë mbështetur, e mbështesin dhe do t’i mbështesin qytetarët e Kosovës, projektin e Kosovës, ta shoh këtë vend të arrijë potencialin e vet të plotë, që jemi të përkushtuar siç kemi qenë gjithmonë, kjo nuk nënkupton se do t’i japim ‘letër të bardhë’ çdo Qeverie të Kosovës në çdo përzgjedhje të politikave që bën”.

“Ne e mbështesim plotësisht këtë projekt të Kosovës, por askush nuk duhet të jetë i befasuar kur gjejmë se qeveria nuk po vepron krejtësisht në përputhje me premtimet e bëra më parë ashtu siç i kuptojmë ne ato premtime. Këto çështje janë gjithashtu pjesë e bisedimeve që kam me kryeministrin Kurti”, deklaroi Hovenier.

Diplomati amerikan, me gazetarët, ka folur edhe rreth disa lajmeve se do të ketë sanksione ditëve të ardhshme për ministra e politikanë të Qeverisë së Kosovë, por tha se të njëjtat janë krejtësisht informacione të pavërteta.

“Jam në dijeni se gjatë vikendit kishte disa raportime jo korrekte dhe të papërgjegjshme rreth vendimeve nga qeveria e SHBA-ve në raport me distancimin ndaj disa individëve për shkak të politikave të caktuara, por ne nuk para-flasim  për vendime për sanksione derisa ta bëjmë vetë publikisht”, pohoi Hovenier.

Ai theksoi se kur SHBA-të vendosin të sanksionojnë dikë, ajo kuptohet nga vetë ata dhe në formë krejt të qartë e direkte.

“Mund t’iu them që nëse do ta sanksionojmë dikë, do ta dini dhe mënyra se si do ta dini nuk është për shkak të ndonjë llogarie në Twitter nga burime të dyshimta, por do të jetë si rezultat i një deklarate krejtësisht të qartë të Qeverisë amerikane. Kjo nuk ka ndodhur. Nuk besoj se do të ndodhë”, shtoi.

Duke folur për çështjen e dinarit, pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), që të ndalohet kjo valutë serbe për pagesa, dhe pakënaqësinë amerikane në lidhje me veprimet e qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti, ka deklaruar se shteti që ai përfaqëson s’mund ta bëjnë më të qartë se që e kanë bërë deri më tani pakënaqësinë që e kanë me ekzekutivin kosovar.

“Unë nuk e shoh partneritetin si një gjë binare. Po ose jo. Mirë dhe keq. E shoh me shumë më shumë nuance. Mund të kemi partneritet të mirë dhe partneritet të shumë të mirë. Mund të kemi partneritet jo aq të mirë, partneritet të pamjaftueshëm, apo jo? Pra, nuk është e thjeshtë: po ose jo. Por, do jem i sinqertë me ju, nuk mendoj se qeveria ime mund ta bëjë më të qartë se sa e ka bërë deri tani se jemi të pakënaqur me kualitetin e partneritet me Qeverinë Kurti”, deklaroi Hovener.

“Nuk besojmë se qeveria aktuale ka qenë mjaftueshëm e vëmendshme ndaj shqetësimeve që vazhdimisht ia kemi ngritur për planet dhe për zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës. Nuk po e bëjmë këtë për ta mbrojtur dinarin, por po e bëjmë sepse është e rëndësishme për SHBA-të dhe partnerët tanë, sepse nuk jemi vetëm”.

Sipas Hovenier, vendimi i fundit për dinarin “e ka afektuar kualitetin e partneritetit tonë”.

“S’mund të them më shumë tani, pos që ne nuk duam të jetë kjo situatë kështu. Por, ne besojmë se arsyeja e në reduktimin e kualitetit të partnershipit tonë, arsyeja përse s’mund t’iu them se partneriteti është i fuqishëm dhe pozitiv, është për shkak të këtij vendimi dhe për shkak të mungesë së përgjegjshmërisë së mjaftueshme të Qeverisë ndaj shqetësimeve që ne i kemi ngritur”, pohoi.

Po ashtu, Hovenier ka ripërsëritur qëndrimin e shtetit të tij se cështja e dinarit është temë për dialogun Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, meqë, sic potencon ai, është cështje bilaterale.

“Çështja e dinarit është çështje e dialogut dhe e kemi thënë shumë herë e në disa raste, se ne besojmë që kjo kërkon diskutim në dialog”, deklaroi Hovenier.

“Pse mendojmë se është çështje për dialog? Është krejt e qartë, sepse është nën planin e Ahtisaar-it. Brenda kushteve nën të cilat Kosova pranoi mbështetjen tonë për pavarësinë e vet, përkushtime janë bërë në lidhje me mbrojtje të veçanta dhe aranzhime specifike për minoritetet në Kosovë”, pohoi ambasadori.

“Në mesin e këtyre përkushtimeve ishin edhe disa premtime specifike që Serbia do ta ketë mundësinë të jap mbështetje për serbët e Kosovës përmes pagesave dhe benefiteve sociale. Dhe për shërbime sociale siç është shërbimi shëndetësor dhe edukimi. Mënyra se si Serbia vendos ta shfrytëzojë këtë mundësi, nëse do, është çështje e rëndësishme bilaterale. Prandaj, shqetësimi jonë gjithë kohën ka qenë mënyra se si qeveria vendos të fus në fuqi rregulloren”.

Sipas Hovenier, takimi në Bruksel ishte me respekt të ndërsjellë dhe pati takime me rëndësi, por duhet edhe niveli politik të përfshihet, sepse çështja është shumë politike.

“Sipas asaj që di unë është se takimi në Bruksel ishte takim me respekt dhe se disa biseda të rëndësishme janë bërë. Por, këtu ka çështje politike që duhet të diskutohen, prandaj shpresa ime është që Qeveria e Kosovës – derisa kemi respekt maksimal për guvernatorin – gjithashtu do të dërgonte reprezentues në këto bisedime që ka aftësinë dhe autoritetin të adresojë çështjet politike që janë pjesë e madhe e kësaj çështje”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore