Film

‘House of the Dragon’ mbyll siparin dhe shpjegon formulën fituese të HBO


Nëse një serial televiziv përflitet më shumë mbi faktin se si do të rikthehet pas dy vjetësh në ekran, se sa mbi atë çfarë ndodhi konkretisht në finalen e sezonit të tij të parë, atëherë gjërat janë bërë mirë.

Nuk kishte rezultat që pritej për “House of the Dragon”, parantezën e sagës “A Song of Ice and Fire” nga shkrimtari i njohur George R.R. Martin.

Avantazhi dhe disavantazhi më i madh i gjithë spektaklit, është pikërisht fakti se si paraardhësi (kinematografikisht dhe jo në periudhë kohore në libra), “Game of Thrones”, mund të ndikonte për mirë ose për keq në perceptimin e përgjithshëm të publikut.

Mirëpo “House of the Dragon”, nuk shpalos thjesht një fitore për Martin si autor, me ngjarjet e tija fantastiko-shkencore të bazuara në mesjetë, por edhe formulën fituese të HBO, e cila mbetet ndër kompanitë kryesore, që vijojnë të aplikojnë formulën e publikimeve javore të serialeve televizive.

Netflix e ndryshoi formulën dhe rregullat e lojës, por golat vijon t’i shënojë HBO në terma konkretë.

Mesatarisht, çdo seri e “House of the Dragon” ka pasur 25 milionë shikime zyrtare, drejtpërdrejt në rrjetin e HBO. Në mënyrë pirate, shifrat mund të tejkalojnë në aspekte marramendëse ato zyrtare, deri në katër ose pesëfish më shumë, sipas disa kompanive që operojnë në fushën e gjurmimit të trafikut online.

Me serinë e fundit të mbylljes, të titulluar “ The Black Queen”, aksioni erdhi vetëm në fund, përmes një skene me dy dragonj në dyluftim (ndër kulmimet e “Game of Thrones” kanë qenë pikërisht skenat me dragonj).

Por, më së shumti, në sy ra ndërtimi i gjithë narrativës, i cili lë vend për pritshmëri të mëdha gjatë sezonit të ardhshëm.

Këtu hyn në lojë pikërisht edhe formula fituese e HBO, me lëshimet javore të serive.

Në rastin e Netflix, ajo që rëndom në SHBA njihet si “buzz”, pra zhurma që një film apo serial bën në terma të gjerë dhe sasia e përfoljes së tij, është tepër e shkurtër.

Në rastin më të mirë, si për shembull hitin televiziv “Stranger Things”, në dy javë, gjithçka është konsumuar.

Më për serialin, nuk flitet, pasi të gjitha seritë lëshohen njëkohësisht dhe njëtrajtshmërisht, për t’u konsumuar ashtu bruto, menjëherë, edhe brenda ditës.

Teksa, HBO, me lëshimet javore, i siguron veten minimalisht 10 javë përfolje, nëse përllogarisim vetëm lëshimet e episodeve.

Në portalin online IMDB, i cili është i specializuar për vlerësimin e filmave dhe serialeve nga kritikët dhe shikuesit e thjeshtë, “House of the Dragon” ka qenë i palëvizur në vend të parë, si seriali më i përfolur, që prej fillimit të tij.

Prej tre muajsh pra, lajme mbi të publikohen çdo ditë, në media ndërkombëtare.

Qëllimi arrihet, formula fiton, seriali fiton, HBO fiton mbi të tjerët.

Jo sepse ka dragonj, as sepse ka në zotërim një prej sagave me botëndërtimin ndër më të mirët e parë, që prej vëllimeve “The Lord of the Rings” apo “The Hobbit”, të J. R. R. Tolkien.

Por, sepse ka formulë dhe ajo e HBO, sërish, Netflix-in, të paktën edhe këtë herë, e ka mposhtur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore