Lajme

Hoti për “anomalitë me tatimin në pronë të Qeverisë Kurti”: Norma progresive ngarkesë për bizneset që kanë prona të vlefshme


Avdullah Hoti

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, duke komentuar Ligjin për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, përmes një postimi në Facebook, ka renditur “anomalitë me tatimin në pronë të Qeverisë Kurti”, duke theksuar – ndër të tjera – se norma progresive e tatimit në pronë do jetë ngarkesë për bizneset që kanë prona të vlefshme.

Fillimisht, Hoti theksoi se në kulmin e inflacionit, qeveria i rriti ngarkesat tatimore në pronë dhe në 2023 mbledh 33 për qind më shumë të hyra nga tatimi në pronë.

“Në fillim të vitit 2023, kur të ardhurat reale ishin ulur dukshëm nga inflacioni i vitit 2022, Qeveria Kurti e rriti ngarkesën e tatimit në pronë. Si rezultat, në 2023 Qeveria ka mbledhur 33% më shumë të hyra nga tatimi në pronë nga qytetarët dhe bizneset krahasuar me 2022. Ky ishte një veprim i paprecedent. Për t’u përballur me inflacionin, të gjitha qeveritë normale përgjithësisht i ulën ngarkesat tatimore për qytetarë”, shkroi ai.

Ish-kryeministri u ndal te tatimi edhe i tokave bujqësore të kultivuara, ku tha se sivjet qeveria nis mbledhjen e tatimit në pronë edhe në tokat bujqësore të kultivuara, dhe kjo, siç shpjegon ai, “vjen si rezultat i ndryshimit të ligjit të tatimit në pronë që ndodhi vitin e kaluar”.

“Në ligjin paraprak, neni 10, pika 4, specifikohej se ‘TATIMI NË PRONË NUK VENDOSET MBI NJËSITË E KULTIVUARA BUJQËSORE TË PARCELAVE’. Qëllimi i këtij neni ishte që të nxiteshin pronarët e tokave bujqësore të kultivonin ato ose t’i jepnin në shfrytëzim”, shtoi.

Me ligjin e ri, neni 3, pika 2, Hoti pohon se fshihet pika 4 e nenit 10 të ligjit të vjetër, dhe si rrjedhojë “pronarët e tokave bujqësore obligohen të paguajnë tatimin pavarësisht a e punojnë tokën apo jo”.

Hoti vazhdoi të shpjegojë edhe për dëmet që i sjell zbatimi i normës progresive të tatimit në pronë.

“Me nenin 6 të ligjit të ri, Qeveria vendosi shkallë progresive të tatimit në pronë varësisht nga vlera e pronës. Ky veprim tregon mungesën e përvojës institucionale dhe të njohurive ekonomike e fiskale lidhur me politikat tatimore. Fakti që norma e tatimit në pronë vendoset mbi vlerën pronës, e cila vlerë përcaktohet nga tregu i hapur, atëherë vetë ngarkesa e tatimit në pronë është progresive për nga natyra e llogaritjes së saj – sa më e lartë vlera e tregut të pronës, aq më e lartë është ngarkesa e tatimit në pronë”.

“Përvojat ndërkombëtare nuk i rekomandojnë normat progresive të tatimit në pronë. Organizatat ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë kanë vlerësuar se ky ndryshim në tatimin në pronë në Kosovë është bërë pa asnjë analizë paraprake dhe konsultim me akterët relevantë, siç janë komunat, bizneset, OJQ-të dhe grupet e qytetarëve në përgjithësi”.

Për më tepër, sipas tij, ndryshimet e bëra me ligjin e ri i kanë reduktuar instrumentet ligjore për mbledhjet e borxheve të tatimit në pronë, “të cilat borxhe për periudhën 2018-2022 janë vlerësuar në nivel prej 56% të ngarkesës totale tatimore”.

Përveç kësaj, problem tjetër që ka evidentuar deputeti i LDK-së, e që vështirëson menaxhimin e tatimit në pronë është mungesa e përgatitjeve për zbatimin e normës progresive të tatimit në pronë”.

“Projekti PROTAX2, që e mbështet Qeverinë në çështjet e tatimit në pronë, nuk është përshtatur me ligjin e ri. Kjo pasi fondet e këtij projekti janë të bllokuara nga masat e BE-së nga data 1 korrik 2023”.

Sipas Hotit, norma progresive e tatimit në pronë do të jetë ngarkesë shumë e madhe veçanërisht për biznese që kanë prona të vlefshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore