Kosova

“Hipokritë klasikë” – Ish-prokurorit Blakaj s’i pëlqen debati për drejtësi pas rastit në KEK


Elez Blakaj

Të neveritshëm e ka quajtur debatin në seancën e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës të mërkurën, ku u diskutua mbi arrestimin e kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, ish-prokurori special, Elez Blakaj, i cili ndër të tjera i quajti “hipokritë klasik” të gjithë ata që flasin për këtë temë.

“E neveritshme të dëgjosh nivelin e debatit në Kuvendin e Republikes së Kosovës, studio televizive dhe media të ndryshme duke folur për drejtësi, me theks të veçantë ata të cilët dje shanin e organizonin konferenca për shtyp e vraponin pas debateve në televizone të ndryshme, e sot na shesin moral – hipokrita klasik!”, shkroi ai.

Blakaj ka thënë se secili, veçanërisht institucionet, duhet ta lajmërojnë çdo dyshim për secilën vepër penale dhe të bashkëpunojnë me organet “pavarësisht kush është emri i përveçëm e/i të dyshuarit e po ashtu sjelljes, motivit dhe performancës së zbehtë të organeve të drejtësisë!”

Përfitues nga ky debat, shtoi Blakaj, janë ata që nuk duan reforma në sistemin e drejtësisë. Madje, sipas vlerësimit të tij, sa më pak që flitet dhe komentohet për “drejtësinë”, aq më shumë reforma do të ketë.

“Është e dukshme dhe e kuptueshme se përfituesit më të mëdhenj nga e gjithë kjo rrëmujë janë të gjithë ata të cilët nuk janë të interesuar të ketë reforma në drejtësi. Madje të gjithë këta përfitues, lutën vazhdimisht që të ketë sa më shumë debate, tensione, komente dhe përplasje të tilla sepse kështu mbijetojnë!”.

Bordi i Drejtorëve të KEK-ut të martën ka marrë vendim me efekt të menjëhershëm për pezullimin e Nagip Krasniqit nga detyra e punës së kryeshefit ekzekutiv. Ai është zëvendësuar nga Perparim Kabashi, aktualisht Drejtor i Njësisë Qendrore për Planifikim dhe Strategji në KEK.

Nagip Krasniqi, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, i vendosur në krye të KEK-ut përmes lidhjeve me partinë në pushtet, është arrestuar me urdhër të Prokurorisë Speciale, nën dyshimet për kryerjen e tri veprave penale.

Krasniqi para kësaj pozite ishte drejtues i Komitetit për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje, ndërsa arrestimi i tij ka ardhur pas bastisjes së zyrave të KEK-ut nën dyshimin për veprat penale: “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, “Ushtrimi i ndikimit’’ dhe “Konflikti i interesit’’.

Ai po dyshohet për keqpërdorime në një tender prej 3.4 milionë euro me kompaninë “Litwin SA” dhe partnerin vendor “Bujar B. Shala B.I.”, për kryerjen e punëve për remontin e turbinës dhe gjeneratorit të Njësisë A5 të TC “Kosova A”.

Emri i tij është përmendur edhe në rastin e skandalit financiar në Slloveni, ku dyshohet të jetë përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, me të cilin Krasniqi raportohet se ishte takuar në Kroaci gjatë muajit mars të vitit të kaluar.

“Korrupsioni me milionat e KEK-ut” – Krejt çka ndodhi në seancën e Kuvendit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore