Lajme

Hill: Marrëveshja e Ohrit do mbetet e shënuar në histori


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, pas vizitës në Vranjë ka thënë se shpreson se “Marrëveshja e Ohrit do të mbetet e shënuar në histori si pika në të cilën filloi normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”.

“Kjo marrëveshje shërben si një pikë kthese pasi do të bëjë të mundur që kufijtë të bashkojnë njerëzit, jo t’i ndajnë ata. Më në fund filluam të merremi me çështjet ekonomike”, tha Hill raportojnë mediat serbe.

Pos Vranjës, Hill më 28 mars ishte për vizitën edhe në Preshevë nga ku theksoi se do të mundohet t’i adresojë problemet dhe kërkesat e shqiptarëve në këtë pjesë të Serbisë.

“Ne kemi pasur një diskutim të detajuar dhe kryetari më ka njoftuar në detaje rreth problemeve të qytetarëve në Preshevë. Do të kthehem në Beograd dhe më leni të mendoj dhe të shoh se si mund të jem i dobishëm por mendoj se është shumë e rëndësishme se njerëzit e kanë të qartë në atë çfarë e thonë dhe çfarë kërkojnë”, tha Hill.

Ai po ashtu potencoi se çështja e minoritetit shqiptar në Serbi është çështje e shtetit të Serbisë dhe nuk ka të bëjë asgjë me dialogun mes dy vendeve të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Marrëveshja e arritur nuk ka ndërmend të kalojë kufijtë”, deklaroi Hill, teksa komentoi letrën e kongresmenëve që ia dërguan Antony Bliniken-it që edhe në Serbi të ketë reciprocitet të të drejtave siç i gëzojnë serbët në Kosovë.

Përfaqësuesit e shqiptarëve dhe boshnjakëve në Serbi kanë kërkuar vazhdimisht që të ketë reciprocitet të të drejtave, të cilët kanë shprehur pakënaqësi me statusin e tyre në përgjithësi e posaçërisht në Novi Pazar, Tutin e Sjenicë në Sanxhak si dhe në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

 

“Çka na tha Christopher Hill-i në Luginë”, intervistë me kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore