Lajme

Hezbollahu thotë se janë të përgatitur për veprim kundër Izraelit kur të vijë koha


Lëvizja Hezbollah e Libanit e mbështetur nga Irani tha të premten se do të ishte “plotësisht e përgatitur” për t’iu bashkuar Hamasit në luftën kundër Izraelit kur të jetë koha e duhur.

“Ne jemi plotësisht të përgatitur dhe kur të vijë koha për veprim, ne do ta ndërmarrim atë”, tha zëvendës shefi i Hezbollahut Naim Qassem në një tubim pro-palestinez në periferitë jugore të Bejrutit.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia franceze “AFP” dhe transmetuesi “Al Jazeera”

Sheikh Naim Qassem shtoi se fuqitë e mëdha, vendet arabe dhe OKB-ja i kishin thënë “direkt dhe indirekt” Hezbollahut “të mos ndërhyjë” në luftimet e vazhdueshme midis Izraelit dhe Hamasit.

Ministri i Jashtëm i Iranit diskutoi më herët situatën e paqëndrueshme në Lindjen e Mesme me liderin e milicisë pro-iraniane Hezbollah.

Një deklaratë e Hezbollahu-t thotë se Ministri i Jashtëm Hossein Amirabdollahian dhe Sekretari i Përgjithshëm i Hezbollahu-t, Hassan Nasrallah u takuan në Bejrut të premten herët për të diskutuar “agresionin izraelit ndaj Gazës dhe krimet brutale të kryera kundër popullit të saj”.

Ka pasur shqetësime se Hezbollahu i mbështetur nga Irani dhe i armatosur rëndë mund t’i bashkohet luftës me Izraelin.

Akte sporadike dhune janë raportuar gjatë ditëve të fundit përgjatë kufirit të tensionuar Liban-Izrael.

Amirabdollahian ishte në Irak të enjten përpara se të vinte në Liban dhe ai është planifikuar të shkojë në Siri më vonë të premten.

Çfarë është Hezbollah-u, grupi i armatosur libanez që mbështet Hamasin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore