Lajme

Haxhiu për kryeprokurorin Isufaj: Kosovës s’i duhet dikush që “bishtin e ka të zënë me derë”


Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një intervistë për televizionin “Kohavizion“, tha se Kosova ka nevojë për një kryeprokuror që “nuk e ka bishtin e zënë me derë”, duke iu referuar Blerim Isufajt, të cilin përkundër insistimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, emërimin e tij deri më tani nuk e ka dekretuar presidentja Vjosa Osmani.

“Unë mendoj që Kosova ka nevojë për një kryeprokuror që ka integritet profesional, që është i guximshëm. Unë mendoj që Kosova nuk ka nevojë për një kryeprokuror që bishtin e ka të zënë me derë, sepse po e merr në qafë një popull”, tha Haxhiu, teksa akuzoi opozitën kosovare për “hakmarrje”.

“Ka probleme serioze, janë disa individë në sistemin e drejtësisë që nuk ia duan të mirën as shtetit e as sistemit. Mendoj që opozita i ka njerëzit e tyre në sistemin e drejtësisë, përndryshe ç’kuptim ka opozita me dalë me mbrojtë kandidatin për kryeprokuror të shtetit”, shtoi ajo.

Haxhiu ndër të tjera pretendoi se partitë opozitare janë duke e penguar Qeverinë e Kosovës t’i bëjë reformat e nevojshme në sistemin e drejtësisë, ndonëse sipas kujtesës së saj, këto reforma i patën premtuar edhe partitë e tjera gjatë fushatës së zgjedhjeve parlamentare.

“Reformat që i kemi nisur në vazhdimësi janë penguar nga akterë të ndryshëm, por ajo që më shqetëson është që këtë po e pengon opozita, duke qenë se edhe kur kanë dalë para qytetarëve, kanë premtuar reforma në drejtësi edhe vetting”, konsideroi ajo.

Ndonëse në pushtet për më shumë se dy vite, opozita po vazhdon të jetë cak i sulmeve nga Lëvizja Vetëvendosje, derisa dhjetëra mijëra qytetarë, kryesisht të rinj të papunë e profesionistë të dëshpëruar, po ia kthejnë shpinën vendit të tyre për të nisur jetë të re në shtetet perëndimore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore