Lajme

Haxhiu: Pa vetting s’ka veprime serioze në luftimin e krimit e korrupsionit


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në Komisionin për Integrime Evropiane të mërkurën deklaroi se pa procesin e vettingut s’do të ketë veprime serioze në luftimin ndaj krimit dhe korrupsionit të nivelit të lartë.

Haxhiu, gjatë raportimit në këtë komisionin ka shprehur zhgënjimin me dështimin e institucioneve të drejtësisë në disa raste të nivelit të lartë për krim dhe korrupsion.

“Duhet shprehur zhgënjimin tim për raste që kanë vëmendjen publike sidomos dhe të cilat po dështojnë pranë institucioneve të drejtësisë. Si ka mundësi që për një zyrtar të lartë po parashkruhet lënda e korrupsionit, ndërsa për një qytetar që nuk ka ndonjë pozicion po janë shumë efikas. Pse nuk po munden të jenë efikas edhe në rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

Haxhiu, theksoi edhe rastin “Veteranët” i cili është rikthyer në rigjykim të mërkurën e 27 prillit.

“Në të kaluarën, sidomos në rastin e veteranëve kemi pasur hapur ndikime te prokurori Elez Blakaj, i cili fatkeqësisht u detyra të lëshojë vendin dhe largohet nga Kosova. Por me qeverinë tonë s’do të ketë situata apo rrethana që një prokuror apo gjyqtar kërcënohet për lëndën që po e trajton”.

Komisioni për Integrime Evropiane.

“Prandaj, po them se nuk kam besim se pa procesin e vettingut do të kemi veprime serioze në raport, sidomos me rastet e krimit dhe korrupsionit. Prandaj jemi duke e bërë një reformë të thellë të drejtësisë”.

Mirëpo, shtoi se janë të përkushtuar në zbatimin e reformave në kuadër të agjendës evropiane.

“Për Ministrinë e Drejtësisë janë dymbëdhjetë masa që i kemi gjatë këtij viti që të përmbushen. Prej tyre janë përmbushur pesë, kanë mbetur edhe shtatë në përpushje, por kemi afat deri në dhjetor. Nëse përcjellim trendin, jam e bindur se të gjitha obligimet që ne kemi në raport me agjendën evropiane, planin kombëtar për zbatimin e MSA-së do t’i zbatojmë me sukses brenda afateve kohore”.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha, ka drejtuar pyetje Haxhiut për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

“A keni pas rast nga ndonjë shtet skeptik për liberalizim të vizave që ka kërkuar kritere shtesë në aspektin e drejtësie”, pyeti Batusha.

Ministrja nuk ka dhënë ndonjë afat kohor se kur do të liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës.

“Pas zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në Francë, besoj se do të vazhdojë dialogu për t’i bindur ata në të drejtën e qytetarëve tanë që të lëvizin lirshëm. Në vazhdimësi na është bërë e padrejtë si shtet që vazhdojmë të na vendosen pengesa në këtë drejtim”.

“Mirëpo jam e njoftuar me angazhimin e Qeverisë së Kosovës me shtetet skeptike në këtë drejtim dhe presim të kemi liberalizim të vizave për qytetarët. Unë nuk mund të flas sikur kanë folur qeveritë e kaluara me data”, tha Haxhiu.

Në këtë komision nuk morën pjesë opozita dhe për këtë ajo shprehu keqardhje.

“Më vjen shumë keq që opozita nuk e shfrytëzoi një mekanizëm që është i rëndësishëm siç është mbikëqyrja parlamentare. Pasi përmes këtij mekanizmi ata kërkojnë llogari për veprimet tona”, tha ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore