Kosova

Haxhiu: Edhe një krim tjetër, edhe një viktimë, ky është ende realiteti ynë


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Edhe, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar për dhunimin e vajzës së mitur 11 vjeçare.

Ajo përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ është shprehur e tronditur me këtë rast.

“Është tronditës fakti që fëmijët, vajzat dhe gratë ende nuk janë të sigurt, sepse dhunuesit qëndrojnë në liri, sepse nuk shqiptohen dënimet meritore, sepse ende krime të tilla të rënda nuk trajtohen seriozisht dhe ende tentohet të normalizohen, heshtën e harrohen”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo e shqetësuar është shprehur edhe me faktin se Kosova po vazhdon të përballet me një realitet të ngjashëm tash e sa vite.

“Fatkeqësisht, ky është ende realiteti ynë i cili duhet të ndryshojë orë e çast, dhe për këtë duhet angazhim serioz i institucioneve bashkërisht por edhe i gjithë shoqërisë”.

Teksa ka ftuar institucionet kompetente që ta trajtojnë këtë rast.

“Ftoj institucionet relevante që të trajtojnë këtë krim të rëndë, duke dëshmuar sa më parë përkushtim dhe rezultat në përndjekje dhe ndëshkim ndaj dhunuesve të të gjitha formave”.

Në rolin e saj dhe të ministrisë që e udhëheq ajo pohon se është angazhuar që detyrat të kryhen gjithmonë në kompetenca ligjore.

“Si Ministri e Drejtësisë, jemi të përkushtuar që të ndërtojmë infrastrukturën më të duhur ligjore, që për aq sa na jep kompetencë ligji, të kryejmë të gjitha detyrat që i kontribuojnë drejtësisë”.

“Policia duhet të sigurojë lirinë e qytetarëve dhe gjykatat duhet të veprojnë, ato nuk duhet ta vështirësojnë tutje jetën qytetare me lirim të kriminelëve”.

Po ashtu, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar dënim meritor për dhunuesit e vajzës 11 vjeçare.

Edhe, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se nga institucionet ka kërkuar angazhim maksimal në këtë drejtim teksa ka thënë se janë arrestuar edhe dy persona të tjerë.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj, ka thënë për Albanian Post se me urdhër të prokurorit kujdestar nga Departamenti për të Mitur, janë ndaluar dy persona të dyshuar për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Dhunimi”, si dhe ndaj të njëjtëve Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente.

Ulaj, ka theksuar se ndaj rastit të dhunimit të së miturës janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.

“Ndaj rastit në fjalë janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në koordinim me të gjitha institucionet relevante, andaj, meqë kemi të bëjmë me procedurë për të mitur, nuk mund të japim informata të tjera, për shkak të ruajtjes së integritetit të të miturve në procedurë”, ka shtuar ajo.

Ndërsa Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim për caktimin e masës së paraburgimit për një muaj, ndaj dy të miturëve të cili dyshohet që së bashku me katër persona të tjerë dhunuan një të mitur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore