Lajme

Harvard-i emëron Claudine Gay si presidenten e parë me ngjyrë të universitetit


Claudine Gay do të bëhet presidentja e 30-të e Universitetit të Harvard-it, duke e bërë atë personin e parë me ngjyrë dhe gruan e dytë që drejton shkollën.

Aktualisht, Gay është dekane në universitet dhe studiuese e demokracisë dhe do të bëhet presidente më 1 korrik.

Ajo do të zëvendësojë Lawrence Bacow, i cili po largohet për të kaluar më shumë kohë me familjen.

E rritur në një familje emigrantësh nga Haiti, Gay konsiderohet si zëri kryesor në çështjen e pjesëmarrjes politike amerikane.

Në vitin 2006, ajo iu bashkua Harvard-it si profesoreshë e qeverisjes dhe e studimeve afrikano-amerikane dhe që atëherë ka eksploruar një sërë çështjesh, duke përfshirë mënyrën se si një sërë faktorësh socialë dhe ekonomikë formojnë pikëpamjet politike dhe votimin.

Po ashtu Gay është kryetare themeluese e nismës së Harvard-it për pabarazinë në Amerikë, që studion çështje si efektet e varfërisë dhe privimit të fëmijëve në mundësitë arsimore dhe pabarazinë amerikane nga një perspektivë globale.

“Ajo është një udhëheqëse e shkëlqyer akademike me një mendje të mprehtë, aftësi të shkëlqyera drejtuese dhe komunikimi, gjykim të shkëlqyer dhe një mirësjellje dhe mirësi bazë që do t’i shërbejë shumë Harvard-it”, ka thënë Bacow në një deklaratë.

“Ndoshta më e rëndësishmja, ajo kërkon respektin e të gjithë atyre që e njohin dhe kanë punuar me të”, ka shtuar ai.

Penny Pritzker, bashkëpunëtor i lartë i Korporatës së Harvard-it dhe kryetar i komitetit të kërkimit presidencial të Harvard-it, i ka bërë jehonë konsideratave të ngjashme.

“Claudine është një udhëheqëse e jashtëzakonshme që është thellësisht e përkushtuar për të mbështetur dhe përmirësuar përsosmërinë akademike të Harvard-it, për të mbrojtur vlerën dhe vlerat e arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, për zgjerimin e mundësive dhe për forcimin e Harvard-it si një burim idesh dhe një forcë për të mirën në botë”.

Sakaq, Gay ka drejtuar thirrje për një bashkëpunim më të madh midis shkollave në Harvard.

Ajo ka thënë se është urgjente që universiteti të angazhohet më shumë me botën dhe të sjellë “mendimin e guximshëm dhe pionier në sfidat më të mëdha”.

“Ne nuk ekzistojmë jashtë shoqërisë, por si pjesë e saj. Kjo do të thotë se Harvard-i ka për detyrë të mbështetet, të angazhohet dhe t’i shërbejë botës”, ka shtuar ajo.

Me emërimin e saj, gratë do të tejkalojnë burrat si shefa të tetë shkollave të Ivy League.

Dartmouth dhe Universiteti i Pensilvanisë emëruan gra në fillim të këtij viti, duke iu bashkuar Brown dhe Cornell. Kurse Columbia, Princeton dhe Yale udhëhiqen nga burra.

Deri më tani, Gay do të jetë presidentja e vetme me ngjyrë në Ivy League dhe gruaja e dytë me ngjyrë, pas Ruth Simmons, e cila drejtoi Universitetin Brown nga viti 2001 deri në vitin 2012.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore