Lajme

Hargreaves: Britania e Madhe do punojë me Kosovën që vendimi në Komitetin e Ministrave të jetë pozitiv


Jonathan Hargreaves

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Jonathan Hargreaves, ka thënë se shteti që përfaqëson do të punojë me Kosovën për një vendim pozitiv të Komitetit të Ministrave për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Këto komente, Hargreaves i ka bërë përmes një postimi në platformën X, derisa ka uruar Kosovën për hapin e radhës për anëtarësim në KiE, pasi që Asambleja Parlamentare votoi pro anëtarësimit të Prishtinës në këtë organizatë.

“E mirëpres votën e APKE në favor të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës. Mbretëria e Bashkuar mezi pret të punojë me Kosovën në hapat e ardhshëm për një vendim pozitiv nga Komiteti i Ministrave”, ka shkruar diplomati britanik.

Ndryshe, më 16 prill, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka votuar pro raportit për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Për miratimin e raportit të raportueses për Kosovën në KiE, Dora Bakoyannis, kanë qenë 131 vota pro, 29 kundër dhe 11 abstenime.

Para miratimit të raportit, Asambleja Parlamentare e KiE-së, i hodhi poshtë të gjitha amendamentet e propozuara nga Serbia.

Për t’u bërë anëtare e plotë e KiE-së, Kosovës i ka mbetur vetëm edhe një hap: votimi i Këshillit të Ministrave të Jashtëm në muajin maj.

Para votimit në Asamblenë Parlamentare, Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci i Këshillit të Evropës kishte rrëzuar amendamentin e deputetëve serbë përmes të cilit kanë kërkuar që të shtyhet vendimi për pranimin e Kosovës në KiE, derisa të themelohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

Po ashtu, ishte rrëzuar edhe amendamenti i propozuar nga deputetët italianë të cilët kanë propozuar që Kuvendi të konsiderojë se themelimi i Asociacionit duhet të merret parasysh si çështje në shqyrtimin e ardhshëm të Komitetit të Ministrave për aplikimin e Kosovës.

Ndryshe, Komiteti për Politikë dhe Demokraci në Këshillin e Evropës, më 27 mars, miratoi raportin e Bakoyannis, ku rekomandohet që Kosova të anëtarësohet në këtë organizatë. Pro votuan 31 përfaqësues të shteteve anëtare, katër kundër dhe një abstenoi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore