Lajme

Haradinaj takon Gjukanoviç: Çështja e Demarkacionit do të përmbyllet me korrigjim në sektorët e caktuar


Ramush Haradinaj dhe Milo Gjukanoviç

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, këtë të enjte është takuar me Presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, ku ndër temat e diskutuara ka qenë edhe demarkimi i kufirit me Malin e Zi.

Sipas Haradinajt, çështja demarkimit të kufirit do të përmbyllet me sukses, me korrigjim në sektorët e caktuar.

“Bashkë do të bëjmë realitet edhe obligimet që kemi marrë, për të përmbyllur me sukses demarkimin e kufirit, me korrigjim në sektorët e caktuar”, ka shkruar Haradinaj në rrjetin e tij social në Facebook.

Haradinaj më tej ka bërë të ditur se falënderuar Presidentin Gjukanoviç për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën dhe gatishmërinë e Malit të Zi për të përkrahur anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, me theks të veçantë në NATO dhe Këshillin e Evropës.

“Kosova dhe Mali i Zi kanë traditë të bashkëpunimit korrekt ndërshtetëror. Në frymën e marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve tona, kaloi dhe takimi me Presidentin Milo Gjukanoviç. Bashkë do të qëndrojmë përballë çdo rreziku që ka për qëllim destabilizimin e Ballkanit, bashkë në rrugën euroatlantike, bashkë në agjendat e tjera me rëndësi për të dyja shtetet”, ka shtuar ai.

Ndryshe Gjukanoviç, një ditë më parë në një intervistë për RTK-në duke komentuar çështjen e demarkacionit ka thënë se komisioni i përbashkët duhet të dalë në terren në atë mënyrë që ta vizatojë në mënyrë precize këtë kufi dhe nëse në këtë çështje tregohet se është e logjikshme se disa gjëra duhet të korrigjohen atëherë kjo gjë do të bëhet në frymën e miqësisë dhe respektit të interesave të ndërsjella, duke u bazuar edhe në marrëveshjen paraprake për Demarkacion.

“Ashtu siç e thashë marrëveshja për demarkacion ndërmjet dy vendeve tona është miratuar. Pas kësaj vazhdon pjesa teknike e punës. Unë nisem gjithmonë nga pika se Mali i Zi dhe Kosova janë miq dhe në mënyrë të përgjegjshme do ta ruajmë miqësinë tonë”, shtoi Gjukanovoiç.

Ndërkaq deklaratën e kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviç, se çështja e demarkacionit me Kosovën ka marr fund, e ka vlerësuar “si mungesë të precizitetit apo si interpretim të gabuar”.

“Kushdo që kryen punë serioze shtetërore në Malin e Zi respekton atë që janë obligimet e marra paraprakisht. Obligimi i parë që kemi marrë është ai që është përcaktuar me Marrëveshjen e Demarkacionit në vitin 2015, gjithashtu ekziston edhe deklarata e përbashkët që e ka nënshkruar edhe presidenti i Malit të Zi, Vujanoviç dhe jam i sigurt se jo vetëm unë por edhe kryeministri Abazoviç do t’i respektojë obligimet e marra dhe të nënshkruara të vendit tonë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore