Lajme

Haradinaj: Kushdo që e kundërshton marrëveshjen franko-gjermane i bën dëm Kosovës


Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka njoftuar se pas mbledhjes së kryesisë së kësaj partie është vendosur që të mbështetet propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kushdo që e kundërshton dhe tenton ta pengojë i bën dëm të madh vendit”, vlerësoi Haradinaj, prandaj edhe “qëndrimi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në mbështetje të propozimit evropian për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, është qëndrim pro interesave nacionale e shtetërore”.

Tutje, ai konsideroi se kjo marrëveshje është një arritje e madhe, “duke pasur parasysh rrethanat në të cilat ndodhemi si shtet”, teksa vazhdoi duke thënë se ky qëndrim është rikonfirmim i mbështetjes ndaj kësaj marrëveshje.

Po ashtu, Haradinaj bëri me dije bindjen e tij për këtë marrëveshje duke e vlerësuar se “kjo i mundëson Kosovës hapjen e perspektives integruese euro-atlantike dhe arritjen e njohjeve të reja”.

“Ky qëndrim është tërësisht në interes të vendit dhe pa ndonjë kalkulim elektoral, AAK vlerëson ndihmën e aleatëve tanë, në veçanti të ShBA-së ndaj arritjes së kësaj marrëveshje”, shtoi ai.

Ndryshe, në takimin e nivelit të lartë në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç u arrit një dakordim që Kosova dhe Serbia të zhvillojnë një proces negociator mbi bazën e 11 pikave të atij që quhet tash zyrtarisht “Marrëveshja për rrugën e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Marrëveshja do të përmbajë një Aneks që synon të sigurojë zbatimin e të gjitha dispozitave të saj. Aneksi ka mbetur që të negociohet. Në momentin që ka pajtim për Aneksin, i gjithë instrumenti, Preambula, 11 nenet dhe dispozitat për implementimin mund të nënshkruhen.

Çështja më e rëndësishme në marrëdhëniet ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon të mbetet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, derisa më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, palët duhet të pajtohen me krejt çfarë u është kërkuar nga BE-ja dhe SHBA-të.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore