Lajme

Haradinaj kërkon që shqiptarët në Luginën e Preshevës të dalin në mënyrë masive në zgjedhjet në Serbi


Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve në Komunat e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit që të dalin në mënyrë masive në zgjedhjet parlamentare dhe lokale më 17 dhjetor në Serbi.

“Duke e ditur diskriminimin që po u bëhet shqiptarëve në të gjitha format nga regjimi serb, do të jetë shumë i nevojshëm një përfaqësim sa më i madh në Parlament, në mënyrë që të mbrohen interesat shqiptare dhe të njoftohet opinioni për padrejtësitë dhe shkeljet e të drejtave të shqiptarëve atje”.

Në mesnatën e së enjtes ka filluar heshtja zgjedhore në Serbi, e cila do të zgjasë deri më 17 dhjetor në orën 20:00, atëherë kur do të mbyllen qendrat e votimit.

Në Serbi, më 17 dhjetor, do të mbahen zgjedhjet parlamentare, si dhe ato lokale – vetëm në 65 komuna, përfshirë Beogradin.

Në këtë garë, forcat kryesore janë Partia Progresive Serbe (SNS), e presidentit serb Aleksandër Vuçiç, dhe koalicioni i përbërë nga parti opozitare “Serbia kundër dhunës”.

Në bazë të disa sondazheve që janë publikuar ditëve të fundit, e kanë nxjerrë të parën me mbi 40 për qind SNS-në.

Opozita serbe ka kritikuar vazhdimisht SNS-në – e cila ka pushtetin në Serbi që 10 vjet – se ka përdorur pushtetin për të ndikuar tek qytetarët serbë në orientimin e votës së tyre.

Në këto zgjedhje, do të marrë pjesë edhe lista “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi”, ku synohet që Kamberi ta marrë edhe një mandat në Parlamentin e Serbisë, si deputeti i vetëm shqiptar atje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore