Lajme

Haradinaj kërkon dorëheqjen e Kurtit


Albin Kurti dhe Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj përmes një postimi në Facebook, ka kërkuar dorëheqjen e Albin Kurtit, ndërsa ka thënë se Kurti sërish “ka angazhuar hajnat e vegjël të dalin nëpër televizione” derisa ende nuk ka marr përgjigje për shumë pyetje të bëra.

Ai ka thënë se ministrat e Kurtit, ai i Brendshëm, e Drejtësisë, dhe i Infrastrukturës dikur e akuzonin qeverinë Haradinaj për Nexhat Krasniqin, siç thotë se e quanin “kryekriminel” dhe “baba i tenderëve”, ndërkaq sipas kreut të AAK-së, tash Nexhati është i angazhuar edhe në qeverinë Kurti, konkretisht në ministrinë e cila në dy muaj ka dhënë 29 tenderë njëburimore.

“Tash Nexhati është i angazhuar edhe në qeverinë tënde, konkretisht në ministrinë e cila në dy muaj ka dhënë 29 tenderën njëburimore. A u bëre edhe ti si Nexhati, apo ai u bë i mirë tash? Po 38 kontrata sekrete, në dobi të kujt janë? Ku po shkojnë̈ ato para?”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Tutje ai ka shkruar se po mundohet të hesht partitë politike.

“Albin, po mundohesh të më heshtësh mua dhe Aleancën. Janë̈ munduar edhe të tjerët, por nuk kanë arritur. Ne jemi arrë e fortë për ju”.

Duke shtuar se, “Albin, i harrove edhe përkrahësit e tu. Punësove vajza të tezeve, mbesa, axhallarë, motra e dhëndurë të elitës së pushtetarëve. A nuk ishte farefisi për dasma? E harrove barazinë sociale, godite edhe pensionistët. Godite mjekët e policët. E tash brenda ditës, gjobiten mbi 4000 qytetarë, në vend se të marrin mbështetje nga shteti”.

Ndërsa, ka theksuar edhe pandeminë si dhe largimin e punëtorëve shëndetësor nga puna.

“Albin, më 2 gusht u krenove që e munde pandeminë. Hoqe punëtorët shëndetësorë nga puna, profesionistë të trajnuar dhe me përvojë̈ për trajtimin e të prekurve nga virusi. Tri javë pas mburrjeve tua, arritëm në rekordin e zi të vdekjeve”.

Duke i kërkuar përgjigje për menaxhimin e pandemisë, Haradinaj ka thënë se Kurti po bën skandale për ta zhvendosur vëmendjen nga problemet e vërteta.

“A po e marrin qytetarët tanë kujdesin e duhur shëndetësor? A i ke vizituar spitalet që të shohësh përpjekjet titanike te mjekëve e stafit teknik?”, ka thënë Haradinaj.

Kurse për vonesën e procesit të vaksinimit, sipas tij është rrezikuar vendi dhe ekonomia që të mbyllet.

“Asnjë vaksinë nuk u sigurua nga buxheti shtetëror, e edhe ato që erdhën si donacione, po skadojnë për shkak të paaftësisë tënde dhe tagrambledhësve tu që të organizojnë e të hapin më shumë pika vaksinimi për qytetarët”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai i është drejtuar Kurtit se, “Përse nuk po reflekton, të kërkosh ndihmë e të bëhemi të gjithë bashkë në luftën kundër sëmundjes së shekullit?”.

Ndërkaq kërkoi përgjigje në atë se, “Kush je ti? Ku po na çon? Ti që po e përdhos edhe gjakun e Dëshmorëve, që lëkund edhe eshtrat e tyre në varre. Ti që u bëre turpi i Kosovës. Marre!”.

Kritika ndaj njëri tjetrit prej ditësh kanë nisur mes Qeverisë e partisë së Ramush Haradinajt.

Shkak është bërë rruga nacionale Prishtinë-Pejë, për ndërtimin e së cilës u dashtë të bëhej shpronësimi i tokave në rrugën Kijevë-Klinë-Zahaq.

Ministri i Financave Hekuran Murati dorëzoi kallëzim penal për shpronësimet në kohën kur Haradinaj ishte kryeministër i Kosovës, teksa tha se u keqpërdor buxheti i shtetit duke i rritur vlerat e tokave shumë më tepër se që ishin. AAK-ja i doli menjëherë me reagim. Akuzat e Muratit i quajti propagandë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore