Kosova

Haradinaj: Bashkë me NISMA-n do t’i sjellim Kosovës fitoren


Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se bashkë me Nismën Socialdemokrate, që drejtohet nga Fatmir Limaj, do t’i sjellin Kosovës fitoren.

Këto komente, Haradinaj i ka bërë në ceremoninë e festimit të 10-vjetorit të Nismës Socialdemokrate, me të cilën ka nënshkruar së fundmi edhe një koalicion parazgjedhor.

“Sot në emër të Aleancës e urova Kryetarin Limaj, strukturat udhëheqëse dhe përkrahësit e Nismës Socialdemokrate me rastin e shënimit të 10-vjetorit të themelimit të saj”, shkroi Haradinaj në Facebook.

Njëkohësisht, shtoi ai, “i falënderova për partneritetin opozitar, si fitore për Kosovën”.

“Të vetëdijshëm për vështirësitë që po kalon vendi, vetëm të bashkuar do t’i sjellim fitore Kosovës”, përfundoi kreu i AAK-së.

Ndryshe, më 17 janar, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe NISMA Socialdemokrate kishin nënshkruar marrëveshje koalicioni parazgjedhor, që nënkupton se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare këto dy parti do të garojnë së bashku.

Marrëveshja në mes të dy partive opozitare, njëra parlamentare e tjera jo, ishte nënshkruar nga kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, dhe lideri i NISMA-s, Fatmir Limaj.

Në fjalën e tij, kreu i AAK-së kishte theksuar se deri në këtë pikë kanë ardhur pas diskutimeve të shumta që i kanë pasur, derisa bënte me dije se ky partneritet do të zgjerohej me akterë politikë dhe jo vetëm, por nuk kishte specifikuar se me kënd konkretisht.

“Në diskutimet tona të gjata, që kanë ndodhur për muaj, kemi vlerësuar se qytetari i Kosovës ka mbetur i papërfaqësuar dhe është lënë vetëm, e në raste të caktuara edhe i luftuar prej atyre që do duhej të përkujdesej për të; në këto raste i motivuar nga Qeveria e Kosovës, nga kryeministri [Albin] Kurti”, thoshte Haradinaj.

“Ku shihen këto shenjat e luftës që qeveria i bënë ndaj qytetarëve të vet; së pari ndaj kategorisë së lirisë, që janë luftuar nga kjo qeveri, pastaj e mbani mend grevën e arsimit dhe si janë trajtuar mësimdhënësit…”, shtoi.

Nga ana tjetër, kreu i NISMA-s potenconte se marrëveshja mes dy forcave politike është “një lajm i mirë për Kosovën politike, për qytetarët e Kosovës”.

“Tash e një kohë jemi dëshmitar për gjendjen në të cilën është vendi ynë, Kosova. Më shumë se kurrë ka nevojë për bashkimin e forcave politike që kanë çfarë t’i japin vendit, dëshirojnë ta shohin ndryshe zhvillimin e vendit, pozicionin e Kosovës, rrugëtimin e saj gjeostrategjik, e shumë e shumë arsye që ne besojmë që qytetarët e Kosovës do të donin t’i shihnin më mirë”, thoshte ndër të tjera Limaj.

Zgjedhjet e ardhshme në kushte normale do të mbahen në shkurt të vitit 2025, ndonëse janë shtuar zërat – edhe nga vetë zyrtarët e lartë të partisë që ka pushtetin, Lëvizjes Vetëvendosje – se mund të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare të 14 shkurtit 2021 – të fituara me mbi 50 për qind nga Lëvizja Vetëvendosje – AAK dhe NISMA, posaçërisht kjo e fundit, nuk patën rezultate të mira.

AAK e Ramush Haradinajt mori besimin e vetëm 7.1 për qind të qytetarëve të Kosovës, apo përkthyer në mandate deputetësh, 7 sosh.

Nga ana tjetër, NISMA e Fatmir Limajt kishte siguruar vetëm 2.63 për qind të votës totale, për të mos e kaluar kështu pragun prej 5 për qind, që do t’i siguronte asaj ulëse në parlament.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore