Lajme

Haradinaj: Barrikadat të largohen urgjentisht, të ndërhyjnë BE-ja dhe SHBA-të


Ramush Haradinaj

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pas barrikadimit të rrugëve nga serbët lokalë në pjesën veriore të Kosovës, përmes një postimi në Facebook, ka bërë apel që institucionet kosovare të heqin të gjitha pengesat në Veri, teksa apeloi që Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të ndërhyjnë për ta qetësuar situatën e tensionuar.

“Shteti i Kosovës të shfrytëzojë të gjithë mekanizmat që i ka per heqjen urgjente të barrikadave dhe çdo pengese tjetër në veri”.

“Qeveria e Serbisë të heqë dorë menjëherë nga politika luftënxitëse dhe t’i tërheqë nga veriu njësitë e veta paramilitare. Apeloj te BE dhe SHBA që të ndërhyjnë me qëllim të qetësimit të situatës në veri”, shkroi Haradinaj.

“Kosova dhe Serbia të ulen dhe ta arrijnë marrëveshjen e paqes për njohje të ndërsjellë”.

Ndërkaq, edhe kryetari i Nismës Social-demokrate, Fatmir Limaj, në llogarinë e tij në Facenook, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani për qasjen e tyre politike ndaj veriut, duke i quajtur “aventura populiste”

“Vjosa dhe Albini u futën në aventura politike duke sfiduar shtetin, e tani po e dorëzojnë atë”.

“Kur bie në gjumë me fëmijë, në mengjes zgjohesh i lagur”, ishte kjo një proverbë të cilën e përdori Limaj për ta shpjeguar situatën.

Gjithashtu, Limaj ka komentuar edhe deklaratën e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, lidhur me kërkesen e tij drejtuar KFOR’it për të kthyer trupat serbe në Kosovë, duke u thirrur në Rezolutën 12/44 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Dy fjalë për deklaratat e pasardhësit të Millosheviqit, Aleksander Vuçiç: Ushtria jote qetnike me gjak në duar është shporrur nga Kosova në vitin 1999, e si e tillë edhe do të mbetet e trajtohet nga Kosova tash e gjithmonë”.

“Këtu kemi qenë, jemi e do të jemi NE!”, shtoi ish-komandati i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ndryshe, qytetarët serbë nga veriu i Kosovës janë grumbulluar dhe kanë vendosur barrikada në rrugë në pjesën veriore, përkatësisht në fshatin Rudarë të Zveçanit, por raportohet se barrikadat janë vendosur edhe në Soqanicë të Leposaviç’it dhe Zubin Potok.

Arsyeja është arrestimi ish-zyrtarit policor nga komuniteti serb në pikën kufitare në Jarinjë, ndërsa po refuzojnë të lejojnë që tashmë i arrestuari për “sulm terrorist” të dërgohet në stacionin policor në Prishtinë.

Gjithashtu, raportohet se afër barrikadave janë parë edhe persona me maska, ndërsa sirenat e alarmit ishin lëshuar në këtë zonë të banuar me shumicë serbe.

Policia e Kosovës tashmë ka njoftuar se rrugët që çojnë drejt pikave kufitare në Jarinjë e Bërnjak, janë mbyllur përkohësisht si masë e sigurisë, teksa kanë kërkuar nga qytetarët të qarkullojnë në rrugët tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore