Shqipëria

“Hapni kufirin ose u themi shqiptarëve të ngrihen”, Majko tregon se si e kërcënoi Maqedoninë gjatë luftës në Kosovë


Pandeli Majko gjatë kohës kur ka qenë Kryeministër i Shqipërisë, më 1999.

“Ose hapni kufirin ose do t’u bëjmë thirrje shqiptarëve të ngrihen dhe të mbrojnë vëllezërit e tyre”, ka qenë ky kërcënimi që Pandeli Majko, ish-Kryeministër i Shqipërisë në vitin 1999, ia kishte bërë Maqedonisë në cilësinë e kreut të ekzekutivit shqiptar.

Këtë, Majko, siç ka rrëfyer vetë, e kishte bërë pasi që Shkupi i kishte bllokuar për një javë të tërë shqiptarët e Kosovës për të shkuar në Shqipëri, të cilët po dëboheshin me dhunë nga regjimi i Kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviç.

“Nuk ka gjë më të paimagjinueshme që mund të ndodhte në atë moment, sepse shqiptarët e Maqedonisë janë shumë më të rezervuar për të ndërmarrë lëvizje të natyrave siç mund të ndërmarrin shqiptarët në Kosovë, por shpërthimin e kanë më të veçantë”, tha Majko të enjten, në një intevristë për “A2CNN”, një ditë pas përvjetorit të 25-të të çlirimit të Kosovës.

Ish-kryeministri shqiptar tregoi se ka pasur një debat të ashpër me qeverinë e kohës së Shkupit për këtë temë, të cilës u kishte thënë se nëse nuk e hapin kufirin do t’i thërriste shqiptarët e Maqedonisë për t’u ngritur kundër shtetit maqedonas dhe për t’i mbrojtur vëllezërit e tyre nga Kosova.

“U detyruam të hapim kufijtë edhe me Maqedoninë dhe brenda një dite mund të kenë kaluar kufirin në drejtim të Korçës 30-35 mijë persona. Ka qenë situata në fillim kur qeveria e Maqedonisë bllokoi gjithë refugjatët që ishin në kufirin mes Kosovës dhe aty përreth një javë a 10 ditë, u bë një tmerr i vërtetë”.

Në këtë drejtim, kërcënimi për Maqedoninë, sipas Majkos, ishte i drejtë.

“Pas disa ditësh Ministri i Jashtëm i Greqisë dhe që u bë interlokutor, Papandreu, së bashku me Ministrin e Jashtëm të Maqedonisë erdhën në zyrën time dhe përfaqësuesi i palës maqedonase kërkoi ndjesë zyrtare për atë që ndodhi në kufi”, rikujton ai.

Ndryshe, për kontriubutin e tij gjatë luftës së fundit në Kosovë, Pandeli Majko, të premten e 14 qershorit, është shpallur qytetar nderi i Komunës së Rahovecit.

Pandeli Majko shpallet “Qytetar Nderi” i Rahovecit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore