Shqipëria

Hapja e fushatës së koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Meta dhe Berisha premtojnë ndryshim


Njëri pas tjetrit, dy “liderët” e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Ilir Meta dhe Sali Berisha mbajtën fjalën e tyre në hapjen e fushatës zgjedhore këtë të shtunë të 15 prillit, në stadiumin “Air Albania”.

Pas prezantimit të kandidatëve për 61 bashkitë e vendit në Foltore u ngjit i pari Meta, i cili në fokus të fjalës së tij pati sulmin ndaj kandidatëve socialistë.

Meta solli në vëmendje se sipas tij “kandidatët e Partisë Socialiste nuk guxojnë të dalin në debat, pasi janë të korruptuar me nga tri katër mandate në krye të bashkive”.

Si risi, kreu i Partisë së Lirisë, përmendi se këtë herë qytetarët do të përfaqësohen në “Këshillat Bashkiakë”, ndryshe nga herët e tjera.

“Të gjithë të vrapojmë se përballë këta kandidatë nuk kanë rivalë, por vetëm një regjim të kalbur në themelet e tij të korruptuara, kanë përballë një regjim”, tha Meta, i cili premtoi fitore ndaj dyshes “Edi Rama – Erion Veliaj”.

Për të, tashmë nuk është koha për ndryshim, por është koha për revolucion.

Nga ana tjetër, Berisha e nisi fjalën e tij më një falënderim për të gjithë aleatët e koalicionit, kandidatët për bashkitë dhe qytetarët që ishin të pranishëm në atë që ish-lideri i selisë blu e cilësoi si një “miting”.

“Ishin, himne dhe zotime para qytetarëve”, tha Berisha referuar fjalëve të kandidatëve.

Ai si aleati i tij, sulmoi kandidatët socialistë, por me fokus te kryeministri Rama dhe kryebashkiaku i Tiranës, Veliaj.

“Ata ditën përqafohen dhe natën i bëjnë gropën njëri-tjetrit”.

Ndyshe nga Meta, Berisha pranoi se “kemi gabimet dhe të metat tona, por nuk krahasohemi me ata (referuar mazhorancës)”.

Ai shtoi se qëllimi më madhor do jetë anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Prandaj kjo betejë që bëjmë, së bashku për Shqipërinë, është beteja më e rëndësishme e jetës sonë. Qëllimi më kryesor sot është një Shqipëri evropiane, më së pari për rininë shqiptare”.

Edhe pse i “braktisur” në fund nga dëgjuesit në “Air Albania”, Berisha vijoi me fjalimin e tij, për ndryshimin, lirinë dhe revolucionin.

Prezantimi i kandidatëve

Pak përpara fillimit të rrugëtimit të fushatës elektorale, kandidati për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi mbërriti në stadium me një autobus për të manifestuar propozimin e tij kryesor për transportin publik falas në Tiranë.

Sipas tij, kjo e fundit do të ulë koston e jetesës, lehtësojë qarkullimin dhe do të pakësojë ndotjen.

Këlliçi propozon gjithashtu reduktimin e taksave dhe tarifave, që do të ndihmojnë biznesin e vogël dhe familjet.

Po ashtu, 7 milionë euro do shkojnë për prodhimet ‘Made in Tirana’.

Pjesë e angazhimit janë edhe 500 oaze të gjelbërta në Tiranë, ndërsa Lana do kthehet në një korridor të pastër dhe çlodhës.

Asnjë zonë në kryeqytet nuk do jetë pa çerdhe, kopshte dhe shkolla.

Së fundmi, Këlliçi ka propozuar edhe ndërtimin e një nënkalimi në sheshin Skënderbej për të përgjysmuar trafikun në Tiranë.

Sipas tij, Bashkia e Tiranës do të reflektojë traditën e mikpritjes, të gatishmërisë për të ndihmuar këdo që na troket në derë.

“Këtë ofroj unë, vërtetësi, mirësi, besnikëri , ndihmë, zgjidhje. Unë jam i pari që besoj në premtimet që kam dhënë, dhe a e dini pse? Sepse janë të gjitha të arritshme, 100% të realizueshme”, garantoi Këlliçi.

Ai theksoi gjithashtu se “financimi i inceneratorit imagjinar të Tiranës do të ndërpritet urgjentisht”.

Spahia

I dytë që mori fjalën pas Këlliçit ishte kandidati për Shkodrën, i cili është kryetari aktual i bashkisë, Bardh Spahia.

Ai në fjalën e tij theksoi se sjell me vete një mesazh, atë të qëndresës.

“Mos të përkulemi, por të qëndrojmë! Mos të ikim, por të qëndrojmë! Asnjë hap pas, por të qëndrojmë! Ta refuzojmë joshjen dhe shantazhin! Vetëm duke qëndruar të fortë, me kokën lart ne do t’ia dalim të fitojmë në 14 maj”.

Sipas tij, koalicioni është alternativa “më e mirë për Shqipërinë, sepse ne punojmë me dashurinë për familjen dhe dashurinë për vendin”.

Ai kishte edhe një thirrje për socialistët, të cilët i ftoi që të bashkohen me “Bashkë Fitojmë” më 14 maj.

Më pas fjalën e morën edhe kandidatët e bashkive kryesore si: Elbasani, Korça, Durrësi, Dibra, Kamza, dhe Vlora.

Fushatë jo, ofensivë po

Lajmi në përditësim

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore